Bujar KURTAJ
Shkup, 23 shkurt – Derbi mes dy konkurrentëve të vetëm për titullin e kampionit mes Vardarit dhe Shkëndijës, e cila do të luhet të dielën në “Telekom Arena”, në stadium nuk do të jenë grupi tetovar “Ballistët”. Kështu është vendosur dje në takimin që është mbajtur në lokalet e KF Vardar, në të cilën prezent kanë qenë edhe drejtuesit e KF Shkëndija, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe përgjegjësve të stadiumit. Pikërisht këta të fundit kanë bërë të ditur se për shkak të rikonstruimit të stadiumit për ndeshjen e Superkupës së UEFA, në përdorim për këtë ndeshje do të lëshohet vetëm tribuna jugore. Si rezultat i kësaj nuk ekzistojnë kushte që në një tribunë të jenë prezent dy grupet tifozerike, ndërsa hyrja për tifozët neutral do të bëhet me letërnjoftim ose dokument identifikimi. Derisa, lajmin për gaztën KOHA e konfirmon edhe Komisari për Gara në Federatën futbollistike të Maqedonisë, Vasko Dojçinovski.
“Me iniciativë të drejtuesve të KF Vardar, në hapësirat e klubit në stadiumin e qytetit, dje kemi realizuar një takim, ku morën pjesë edhe drejtuesit e KF Shkëndija, përfaqësues së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Federatës Futbollistike të Maqedonisë. Rreth pjesëmarrjes së tifozëve mysafir, rekomandimi i përfaqësuesve të stadiumit për shkak se i njëjti është në rikonstruim të sipërm për ndeshjen e Superkupës, do të lëshohet në përdorim për shikues vetëm tribuna jugore. Tifoz mysafir nuk do të mund të vijnë për shkak se nuk ka kushte të bëhet vendosja e tyre. Ata nuk e dinë ende se edhe tifozët e Vardarit ‘Komiti’ në cilin bllok të tribunës jugore do të vendosen, ndërsa në pjesa tjetër e tribunës në dispozicion do të jetë për të gjithë shikuesit”, thotë Dojçinovski.
Ai bën të ditur se shitja e biletave për ndeshjen derbi do të mund të blihen nga dita e enjte. “Shitja e biletave do të fillojë të enjten dhe secili shikues që do të dojë të blejë biletë për të parë ndeshjen, do të duhet të ketë me vete letërnjoftim për identifikim. Pra biletë mund të blihet vetëm me letërnjoftim, por kjo nuk donë të thotë se shikuesit nga Tetova nuk do të mund të hyjnë në stadium, përkundrazi me letërnjoftim secili do të mund të blejë bileta. Ajo që dihet është se KF Shkëndija nuk do të organizojë tifoz në mënyrë të organizuar në Shkup”, përfundoi Komisari për Gara në FFM, Vasko Dojçinovski.
Ndërkohë, lajmin e konfirmojnë edhe nga KF Vardar. Ata thonë se ndeshja me Shkëndijën është shpall me rrezik të madh dhe secili që dëshiron të blejë biletë do të duhet të tregojë dokument për identifikim personal. “Suspendimi për të luajtur pa publik më skadoi, ndërsa të dielën dashamirët e futbollit do të mund të jenë prezent në tribuna dhe në stadium. Në pajtueshmëri me marrëveshjen nga takimi, nuk do të lejohet prezenca e tifozëve mysafir, respektivisht të tifozëve të KF Shkëndija. Ftojmë të gjithë dashamirët e KF Vardar që të vijnë të jenë prezent në derbi dhe me anim korrekt ta ndihmojnë skuadrën tonë që të vijë deri te fitorja në këtë ndeshje dhe deri te tre pikët e reja në kampionat”, thonë nga klubi kuqezi. Cekim, ndeshja ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës luhet të dielën me fillim në ora 14.0.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.