Shkup, 26 dhjetor – Derisa futbollistët e FC Shkupi po shfrytëzojnë kohën për pushimin dimërorë, kryesia e klubit ka vazhduar pa ndërpre në kërkim të përmirësimit të kushteve për ekipin, duke kontaktuar dhe me donator të mundshëm të cilët do të kontribuojnë që të mbajnë skuadrën e Shkupit në mesin e ekipeve më të mira në Maqedoni. Së fundi një nga biznesmenët e rinj shqiptar nga Shkupi, 20 vjeçari Sinan Jusufi ka vendosur që në mënyrë vullnetare të donojë 1.5 milion denarë për skuadrën, duke treguar se Shkupi ka njerëz që janë të gatshëm që klubin e zemrës ta përkrahin në situata të vështira dhe se tani kur në fuqi do të jetë ligji për sponsorisim të ekipeve sportive, bizneset do ta kenë shumë më të lehtë për të ndihmuar klubet, duke e ditur se 50% nga tatimi i fitimit, do të munden të donojnë në ekipet profesionale të futbollit. “Duke dashur që FC Shkupi të tejkaloje momentet e vështira kam vendosur që të bej një hap të vogël , duke dhuruar një shumë modeste për klubin. Këtë e bëjë së pari për hir të të rinjve, futbollistëve, tifozëve dhe në përgjithësi sportdashësve. Shpresoj se ky gjest do të inkurajoje të gjithë dashamirët e FC Shkupi që të kontribuojnë dhe së bashku t’i gëzohemi sukseseve edhe në arenën ndërkombëtare të futbollit”, ka thënë mes tjerash në takim me kryesinë e klubit biznesmeni i ri, Jusufi. Në takim të pranishëm ishin edhe kryetari i klubit Ejup Ademi dhe nënkryetari Suat Alija të cilët publikisht kanë falënderuar për këtë gjest Sinan Jusufin, duke potencuar se jo rastësisht që në fillim të rikthimit në skenë të FC Shkupit, kishin potencuar se ky klub është i të gjithë shqiptarëve dhe se gjithkush është i mirëseardhur për ta ndihmuar apo edhe për të qenë pjesë direkte me investime kapitale.