Barcelona do të vazhdojë të jetë pjesë e La Liga në Spanjë. Në një asamble të zhvilluar mes ortakëve, gati e bojkotuar, me prezencën e vetëm 343 pjesëmarrësve përballë totalit prej 4.346 personave që kanë të drejtë të jenë pjesë e këtyre eventeve, ishte presidenti i klubit blaugrana, Josep Maria Bartomeu ai që ka qartësuar të ardhmen sportive të Barcelonës.
Në mesin e një krize politike në Spanjë, me Katalonjën në qendër të saj, fati i skuadrës së Barcelonës, në rast të pavarësisë së krahinës që pretendon autonomi totale, është vënë jo pak në diskutim. Kundër çdo aludimi mbi një shkëputje të Barças nga La Liga, dhe mundësive për tu bashkuar me kampionate të tjera në Europë, Bartomeu deklaroi: “Barcelona do të qëndrojë në La Liga, duam të luajmë në La Liga, kjo është e sigurtë. Besueshmëria e La Liga dhe Barcelonës është e lidhur me këtë ngushticë dhe do të vijojmë të garojmë për të fituar të gjitha kompeticionet në të cilat marrim pjesë”.