Një nga futbollistët më të talentuar italianë, Moise Kean la Juventusin këtë verë, për t’iu bashkuar anglezëve të Evertonit, duke qenë se në skuadrën bardhezi do t’i kishte të limituara hapësirat, për shkak të konkurrencës së fortë.
Në një intervistë për mediat ishullore, Kena zbuloi se kishte diskutuar mbi transferimin në Angli, me disa nga shokët e skuadrës dhe se kishte gjetur në fjalët e Cristiano Ronaldos, këshillën e duhur, që e bindi të pranojë largimin nga Juve.
“Kam folur me shumë njerëz, midis tyre edhe shokë skuadre, para se të pranoja të vija këtu. Cristiano Ronaldo më dha këshillat e duhura, që edhe më bindën të pranoja Evertonin. ‘Ndiq ëndrrat e tua dhe puno për t’ia dalë’, më tha portugezi, duke më nxitur të pranoj këtë sfidë si një hap të rrugëtimit të karrierës time”, tha Moise Kean.