Omer XHAFERI
Shkup, 10 janar – Marrja e lëndës gjyqësore për “Lagjen e Trimave” nga ana e Prokurorisë Speciale Publike nuk dihet se kur do të ndodhë. Nuk dihet as fati i rasteve të montuara, si Sopoti dhe Monstra. Në prononcimin për gazetën KOHA, nga Prokuroria Speciale Publike(PSP) arsyetohen se nuk mund t’i procedojnë këto raste pa u bërë ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Për dallim nga këto lëndë, drejtuesit e Prokurorisë speciale deri më tani kanë hapur një sërë procedurash hetimore kundër ish krerëve të lartë shtetëror, respektivisht nga puna e deritanishme ato kanë ngritur edhe akuzat e para kundër ish kryeministrit Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
“Ne jemi të vetëdijshëm për interesin e lartë të opinionit që ka për rastet e cekura. Megjithatë, më duhet të potencoj se nuk ka asnjë risi në këtë drejtim, në veçanti për rastin e Lagjes së Trimave. Njëherit theksojmë se ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve janë thelbësore për punën tonë të mëtejme”, tha për gazetën KOHA prokurorja speciale Lençe Ristovska. Ky njoftim nga PSP-ja vjen në kohë kur para trupit gjykues në Gjykatën Penale të Shkupit, prokurorët publike janë duke përfunduara me prezantimin e dëshmive materiale kundër 37 të akuzuarve për Lagjen e Trimave dhe sulmin në karakollin e Gushincës. Duke u mbështetur në dispozitat e Ligjit për procedurë penale, Trupi gjykues në krye me gjykatësen Verka Petrovska, duhet të sjell aktgjykim për rastin e Kumanovës, para së të bëhen dy vjet nga ngritja e aktakuzës (dispozitë kjo që përmbushet në tetor apo nëntor të këtij viti), përndryshe 37 të akuzuarit, në mesin e tyre një numër i konsiderueshëm nga Kosova, duhet të lirohen nga paraburgimi. Lidhur me këto zhvillime avokati, Naser Raufi, është shprehur se ai bashkërisht me kolegët e tij që janë të autorizuar në këtë rast, qoftë me shkrim apo gojarisht, kanë kërkuar që Prokuroria e udhëhequr nga Katica Janeva, ta merr përsipër këtë lëndë. “Ne vazhdimisht kemi insistuar dhe më tej këmbëngulim që Lagja e Trimave, duhet t’i kalon PSP. Por, obstruksionet që i bëhen kësaj prokurorie, mendoj se janë pengesa kryesore pse deri më sot kjo lëndë nuk u është dorëzuar atyre. Besoj se me formimin e Qeverisë së re, Prokurorisë Speciale do t’i delegohet kjo lëndë për të cilët ajo ka kompetenca të plotë, pasi që e njëjtat është e lidhur me përgjimet e jashtëligjshme të cilat i heton ky institucion”, tha për KOHA avokati Raufi. Nga përvoja e deritanishme, avokati Raufi tha se në pranvere të këtij viti pritet të sillet aktgjykimi i shkallës së parë për rastin e Kumanovës, gjegjësisht gjatë muajve mars apo prill përfundimisht duhet të dihet fati i 37 të akuzuarve. Brenda kësaj periudhe në Gjykatën Penale të Shkupit, vetëm për muajin janar janë paraparë mbajtja e 6 seancave gjyqësore, të cilat pala mbrojtëse i ka konsideruar si presedan në zhvillimin e proceseve gjyqësore në vend. Pas mbarimit të këtyre seancave, radhën për prezantimin e dëshmive do ta kenë vetë avokatët e 37 të akuzuarve, sipas të cilëve përpos vetë të akuzuarve që do të flasin për rrjedhojën e ngjarjeve, ata kanë përpiluar një listë të gjatë prej rreth 100 dëshmitarëve që do të thirren për të rrëfyer njohuritë e tyre që kanë për ngjarjet e majit të vitit 2015 në qytetin e Kumanovës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.