Ivanov: Të përmbushen premtimet parazgjedhore
Pres, njëjtë si edhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë, kjo ditë të kalojë në atmosferë të qetë, demokratike. Sonte t’i urojmë fituesit, ndërsa të mposhturit ta njohin legjitimitetin e të zgjedhurve, deklaroi sot presidenti i vendit Gjorge Ivanov pasi që votoi në vendvotimi në gjimnazin “Josip Broz Tito”. “Pres sa më shpejtë të konstituohet përbërja e re e Kuvendit, të zgjedhet qeveria dhe qeveria t’i përmbushë të gjitha premtimet që i dha në periudhën parazgjedhore. Presim përfundimisht të dalim nga kriza politike dhe t’u përkushtohemi qëllimeve tona strategjike, ta kthejmë agjendën euroatlantike në vendin më të lartë, të jetë prioritet i shtetit”, potencon Ivanov. Siç tha ai, jemi të vetëdijshëm për ngjarjet që na ndodhën viteve të fundit. Ky duhet të jetë mësim për të gjithë në politikë. “Jemi të vetëdijshëm edhe për të gjitha sfidat në rajon dhe më gjerë. për këtë arsye na nevojiten institucionet me kapacitet të plotë të cilat do të përballen me të gjitha sfidat”, theksoi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov pas votimit.
Gruevski: Sot votohet se nga duhet të lëvizë Maqedonia
Sot është dita kur të gjithë qytetarët e kanë përsëri fuqinë në duart e tyre që të vendosin se kush në periudhën e ardhshme do të menaxhojë me shtetin, në cilin drejtim do të lëvizë ai, dhe çfarë politike do të zhvillohet, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe bartësi i listës së kandidatëve të Koalicionit për Maqedoni më të mirë, pasi që e realizoi të drejtën e tij të votimit në zgjedhjet e sotme parlamentare. Konsideron se kjo është veçanërisht e rëndësishme pas, siç tha, gjithë kësaj që ndodhi gjatë dy viteve e gjysmë. “Kjo është dita kur qytetarët duhet që të thonë mendimin e tyre, të dalin në mënyrë masive të votojnë, ta realizojnë të drejtën e tyre të votës dhe ta japin mendimin e tyre për atë si dhe në cilin drejtim në vitet e ardhshme duhet të lëvizë Maqedonia”, theksoi Gruevski.
Zaev: Sot zgjedhet për të ardhmen e vendit tonë
Kryetari i LSDM-së dhe bartës i listës së kandidatëve për deputetë në NJZ4, Zoran Zaev sot votoi në vendvotimin numër 1730 në SHFK “Nikolla Vapcarov” në Strumicë. Pas votimit Zaev vlerësoi se sot janë zgjedhjet për një Maqedoni përparimtare, të lirë dhe të vetme. “Sot është ditë historike për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe për Republikën e Maqedonisë. Kjo sot është ditë në të cilën zgjedhet për jetë, për të ardhmen e vendit tonë. Kjo sot është ditë në të cilën zgjedhet për Maqedoni përparimtare, të lirë dhe të vetme. Hapi i parë drejt asaj është vullneti i lirë i shprehur i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Shpresoj se edhe mu kjo sot do të ndodhë”, deklaroi Zaev.
Ahmeti: T’i pranojnë rezultatet zgjedhore
“Siç kemi pasur fushatë të qetë, të kalojë qetë edhe kjo ditë. Sonte, sipas të gjitha standardeve demokratike të subjekteve politike t’i pranojnë rezultatet zgjedhore”, deklaroi sot lideri i BDI-së Ali Ahmeti pas votimit në vendvotimin në Zajaz. “Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për imazhin e shtetit, por edhe për proceset e mëtutjeshme demokratike”, tha Ali Ahmeti.
Thaçi: Shpresoj të mos kemi probleme
Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi sot votoi në vendvotimin 1961/1 në kopshtin “Mlladost” në Tetovë. Thaçi pas votimit vlerësoi se ngadalë po krijohet klimë e zgjedhjeve të mira dhe shfaqi shpresë se nuk do të ketë probleme deri në fund të votimit në orën 19:00. “Një lajm i mirë deri më tani, në Zajaz, Oslomej dhe Kërçovë kanë votuar 1.5 për qind e qytetarëve. Vëzhguesit tanë po e kryejnë punën, qindra njerëz janë kthyer mbrapa të cilët dëshirojnë nga dy tre herë të votojnë, por apelojmë deri te MPB-ja dhe KSHZ-ja sa më shpejtë të reagojnë sepse përndryshe do të kemi probleme të mëdha. Mendoj se ngadalë po krijohet klimë e zgjedhjeve të mira. Shpresojmë se deri në orën 19:00 nuk do të kemi probleme”, deklaroi Thaçi.
Kasami: Ditë e rëndësishme për shqiptarët
Kryetari i Lëvizjes Besa dhe bartës i listës së kandidatëve për deputetë në NJZ 6 sot votoi në vendbanimin e tij. “Është ditë e rëndësishme për ne shqiptarët e Maqedonisë. Ne sot do të dëshmojmë se e dimë se politikanët e këqij përkrahës më të mëdhenj i kanë mosvotuesit e mirë. Andaj, edhe shpresoj se sot shqiptarët do të dalin të votojnë që ta shporrim këtë rrugaçëri partiake që na ka kapluar. Unë, bashkëkombësve të mi mund tua përcjellë vetëm një porosi: edhe nëse nuk dilni të votoni, do të ketë fitues që do te vendos për fatin tuaj. Andaj, dilni se o sot o kurrë ju mund ta vendosni se kush do të jetë fituesi që do ta përcaktojë fatin tuaj politik”, Kasami.
Sela: Sot votova NDRYSHE!
Lideri i LR-PDSH, Ziadin Sela, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në vendlindjen e tij në fshatin Livadhi të Strugës. Ai përmes rrjetit social ka shkruar “Sot votova NDRYSHE!”.