Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj para trupit gjykues të Gjykatës së Apelit në Colmar, në Francë, ka thënë se do të respektojë obligimet dhe procedurat ligjore që u nxorën sot në shqyrtimin e parë ndaj tij. Haradinaj sot u lirua me kusht deri në shqyrtimin e kërkesës së Serbisë për ekstradim të tij. “Do t’i respektoj të gjitha obligimet dhe procedurat ligjore, sikur i kam respektuar çdoherë. Megjithatë, kërkesa e Serbisë është politike”, ka thënë Haradinaj para Trupit gjykues. Deri në orën 14:30 pritet të përfundojnë procedurat që Haradinaj të lirohet. Avokati i tij, Arianit Koci, ka thënë për KTV se pas kësaj ore do të mund ta takojë liderin e AAK-së. Ai ka shtuar se si mbrojtje kanë kërkuar që krejtësisht të hidhet poshtë kërkesa e Serbisë për ekstradim por Gjykata fillimisht ka vendosur vetëm për lirim me kusht. Procedura e shqyrtimit të kërkesës së Serbisë për ekstradim merr 18-40 ditë që nga dita e arrestimit.