Deputeti nga radhët e lëvizjes, Fisnik Ismaili, lajmin për vdekjen e Astrit Deharit, e ka përjetuar rëndë, duke thënë se vetëm dje, dikush i kishte thënë se tashmë i ndjeri Dehari “është mirë” dhe “po mbahej”. “Astrit, breh! Dje fola me njerin, që më tregoi se je mirë, po mbahesh, edhe që na kishe ba shumë të fala. Mu ba fort qefi, edhepse me dhembje ka kalue çdo ditë prejse të futën qaty për kurrgjë. Sot, një sallë plotë me njerëz, bashkëaktivista, duartrokitëm gjatë, mbasi të përmendëm me fort krenari, që na përkujtove vazhdimisht se sa e padrejtë është kjo botë, e sa na motivon ti, për me kërkue drejtësi. Sot, pa ra terri mirë përjashta, neve na u terrue para syve, e thellë në zemër, me lajmin që askush s’e ka pritë. Askush. Astrit, breh!!!”, ka shkruar Ismaili në profilin e tij në Facebook, njëherësh shok të ngushtë Astrit. Në ndërkohë, Vetëvendosje nëpërmjet një njoftimi drejtur mediave ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Astritit. “Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri. Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë. Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë”, thuhet në njoftim.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka ndërruar jetë të shtunën pasdite , ndërsa drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka treguar se Astrit Dehari kishte konsumuar barna dhe kishte rënë në komë. Astrit Dehari po hetohej lidhur me dyshimin se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.