Shkup, 18 tetor – Koalicioni ASH-BESA parashikon mbështetje të ndërsjellë në ato komuna ku kandidatë të tyre janë në balotazh me kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Konkretisht, mbështetja e BESËS ndaj Aleancës për Shqiptarët të bëhet në pesë komuna, ndërsa partia e Selës do ta mbështet partinë e Bilall Kasamit në shtatë komuna. Dy shefat e Shtabeve qendrore zgjedhore, Elmi Aziri i ASH-së dhe Afrim Gashi i BESËS kanë sqaruar në detaje marrëveshjen për koalicionim, ndërsa kanë ftuar elektoratin e dy partive për mbështetje masive më 29 nëntor, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. “Pas ndërhyrjes së thellë që e bëri VMRO-ja në kampin shqiptar në vitin 2006, kur PDSH-ja hyri në Qeveri pa e pasur verdiktin e qytetarëve shqiptarë, për herë të parë në zgjedhjet lokale ndodh që një parti maqedonase, LSDM-ja, tenton në mënyrën më radikale që të ndikojë vullnetin politik të shqiptarëve se cilët janë kandidatët që do të duhej të menazhonin ato komuna”, ka thënë Gashi, duke vlerësuar se ky është momentum i ri “dhe mendoj se shqiptarët duhet që ta kishin të njëjtën ndjenjë se dikush u është futur thellë për t’ua ndryshuar vullnetin”. “Kjo ndërhyrje nuk është e dobishme as për shqiptarët e as për shtetin. Prandaj, duart larg prej vullnetit të shqiptarëve”, ka thënë Gashi. Shef i shtabit zgjedhor të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi tha se një kohë të gjatë opinioni e pret bashkëpunimin mes Lëvizjes BESA dhe Aleancës për shqiptarët. Ai u bëri thirrje gjithë aktivistëve të BESËS të votojnë Aleancën për Shqiptarët në komunat ku ata garojnë kundër BDI-së, por jo vetëm të votojnë, por të jenë edhe aktiv. “I fitoj gjithë aktivistët simpatizantët e BESËS që në komunat ku garon Aleanca përveç votës të jenë aktiv dhe të bëjnë çmos që në skenën politik të menaxhoj një strukturë e re politike. Shpresoj që kjo frymë që tash po ndërtohet të jetë frytdhënëse dhe në të ardhmen të jetë një koalicion për të ardhmen. Është një test për ne dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të sjell ndryshime”, ka thënë Afrim Gashi. Ai ka shtuar se shpresa është që ky koalicion t’i sjell të mira shqiptarëve dhe Maqedonisë. Në anën tjetër, Elmi Aziri i Aleancës ka deklaruar se presin që kryeministri Zoran Zaev në raundin e dytë të jetë së paku neutral. Në ndërkohë, shefi i Shtabit zgjedhor i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, deklaroi se në bazë të rezultateve të raundit të parë konstatuan se Aleanca për Shqiptarët dhe BESA kanë nevojë për bashkëpunim, i cili do të jetë frytdhënës. “Ju bëj thirrje të gjithë përkrahësve që më 29 tetor të jenë aktivë po aq sa kanë qenë aktiv më 15 tetor dhe ta mbështetin fuqishëm koalicionin tonë. Gjithandej ku ka kandidatë të përkrahet maksimalisht dhe koalicioni të jetë i suksesshëm”, ka thënë Aziri. (koha.mk)