Fatos RUSHITI
Shkup, 11 janar – Kur jemi tek përmbajtja e Ligjit – që në pesë nenet e para parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë, të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë, edhe gjuha që e flasin 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj (gjuha shqipe), shkruan gazeta KOHA.
“Në institucionet nga neni 1 paragrafi (3) nga ky ligj në pushtetin shtetëror në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare krahas asaj maqedonase dhe shkrimit të saj, është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, ekzekutiv, objektet infrastrukturore, evidencën amë, dokumentet personale, financa, ekonomi si dhe në sferat e tjera“, thuhet në sqarimin zyrtar të këtij ligji. Institucionet janë të obliguara sipas detyrës zyrtare të sigurojnë shfrytëzim, komunikimin dhe procedurat të zhvillohen në gjuhën të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë dhe shkrimi i tij nëse personi, gjegjësisht pjesëmarrësi flet gjuhë të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu, raporton KOHA, ueb faqet e institucioneve dhe përmbajtja e ueb faqes krahas në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij, detyrimisht do të publikohen edhe në gjuhën e ndryshme nga gjuha maqedonase të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë dhe shkrimin e tij. Emërtimet e institucioneve si dhe të gjitha institucionet e tjera dhe njësitet e tyre rajonale në njësinë e vetëqeverisjes lokale në të cilat të paktën 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase edhe në Shkup, do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e tij cirilik dhe në gjuhën shqipe.
Emërtimet do të jenë me madhësi dhe font të njëjtë, ku emërtimi në gjuhën maqedonase dhe shkrimi në këtë gjuhë do të shkruhet i pari. Kartëmonedhat dhe monedhat, si dhe pullat postare, në pajtim me ligjin, do të përmbajnë simbole që paraqesin trashëgimi kulturore të qytetarëve që e flasin gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik dhe në gjuhën shqipe. E njëjta vlen edhe për pullat postare, fletëpagesat, raportet fiskale të lëshuara nga institucionet, faturat, banderolat. Në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedura për përmbarimin e sanksioneve, procedurat hetimore dhe parahetimore, procedurat penale dhe kundërvajtëse, procedurat kontestuese dhe jokontestuese, si dhe në procedurat e tjera para gjykatave, prokuroritë publike si dhe në të gjitha organet e tjera dhe institucionet, zbatohen gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe.
Në procedurat para noterit, dokumentet e noterisë dhe vulat do të jepen në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe shëndetësisë në Shkup dhe komunat ku jetojnë 20 për qind shqiptarë, gjithashtu do të jenë dygjuhësore. Dispozitat ligjore parashikojnë për qytetarët të cilët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase që e flasin më pak se 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, formulari i letërnjoftimit të shtypet edhe në gjuhën dhe shkrimin që përdor qytetari. Emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale ku të paktën 20 për qind nga qytetarët e flasin gjuhën të ndryshme nga gjuha maqedonase, si dhe në Shkup shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët dhe shkrimi i tij si dhe gjuhët që janë në përgjithësi të pranuara nga bashkësia ndërkombëtare, shkruan KOHA. Në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë dhe aeroportet të cilët gjenden në rajonin ku të paktën 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase emrat e institucioneve, shkrimet e tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik si dhe në gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët dhe shkrimin e tyre.
Siç thuhet në sqarimin e Ligjit, për zbatimin dhe realizimin e tij themelohet “Agjencia për zbatimin e gjuhës” kompetente për standardizimin dhe shfrytëzim të barabartë të gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët me ndihmën e trupave ndihmës për mbështetjen e institucioneve. Përveç kësaj, parashikohet edhe formim i Inspektoratit për shfrytëzimin e gjuhëve në përbërjen e Ministrisë së Drejtësisë. Në propozim-ligjin, i cili është me flamur evropian, është paraparë gjobë në vlerë prej 4.000 deri 5.000 euro për organin si dhe të gjitha institucionet e tjera për mosrespektim të dispozitave nga ky ligj. Gjobë në vlerë prej 30 për qind nga gjoba e vlerësuar do t’i shqiptohet edhe personit zyrtar dhe personit përgjegjës për mosrespektim të Ligjit. (koha.mk)