Komuna e Çairit konfirmon inspektimet e Prokurorisë Speciale Publike. Përmes një kumtese nga kjo komunë konfirmojnë se Specialja ka kërkuar detaje në lidhje me objektin i cili dyshohet të jetë ndërtuar pa leje përballë ambasadës amerikane në Shkup, raporton Alsat-M. Objekti dyshohet të jetë në pronësi të një zyrtari të BDI-së. “Lidhur me objektin që ndodhet përballë Ambasadës Amerikane në Shkup, lëndë konkrete për të cilën Prokuroria Speciale ka shprehur interesim, kemi njoftuar përfaqësuesin e deleguar nga ana e saj, i cili është pritur dhe është informuar detajisht për procedurën, se objekti në fjalë nuk është në kompetenca të Komunës pasi që i njëjti është në procedurë gjyqësore”, njoftojnë nga Komuna e Çairit. Objekti që është lëndë interesimi për specialen ishte pjesë e “bombave” mes kreut të BDI-së dhe të VMRO-DPMNE-së. Gruevski kërkon nga Ahmeti që bashkë-partiakët e tij të mos bëjnë probleme gjatë rrëzimit të objektit. Ahmeti nga ana e kundërt thotë se objektet pa leje duhet rrënuar. Në një bashkëbisedim tjetër shpalosen dyshime për ndërhyrje të krerëve të BDI-së për anulimin e urdhëresave për rrëzimin e objekteve në kundërshtim me Ligjin. Dyshimet shtohen edhe më tepër pasi vetë kreu i BDI-së cakton pazarin për shitjen e një objekti në pronësi të zyrtarëve të partisë. Ai kërkon nga kreu i Degës së BDI-së në Çair, Beqir Asani që blerësit t’ia hedh në çmim. Prokuroria Speciale ditë më parë inspektoi hapësirat e Komunës së Çairit. Jo zyrtarisht bëhet fjalë për procedurë para hetimore nga e cila nuk dihet se kush mund të jetë i dyshuar dhe i ndjekur. Lënda në procedim e sipër është hetimi i parë i ekipit të Katica Janevas mbi ndërtimet pa leje dha kaosin urbanistik në Komunën e Çairit.