Klimë aspak bashkëpunuese mes drejtuesve më të lartë të Milanit sa i përket merkatos. Më konkretisht, drejtori sportiv, Leonardo, mësohet se ka marrë jo-në e radhës të Gazidis, pas asaj për Ibrahimovic dhe Fabregas. Braziliani prej kohësh kishte nisur nga puna për të konkluduar me sukses operacionin për sulmuesin 23-vjeçar të Gremios, brazilianin Everton.
Lojtari gjatë muajit prill deklaroi se “nëse gjithçka do të shkonte sipas planit dhe nuk do të kishte pengesa, atëherë shpejt do të bëhej shok skuadre me Paquetàn”. Por, me sa duket, Gazidis ka bllokuar bisedimet me arsyetimin e kostove të larta të komisioneve, duke argumentuar se marrëveshjet e transferimeve me klubet braziliane nuk paraqiten kurrë të lehta, përkundrazi të komplikuara.
I vështirë për t’u arritur mbetet një tjetër objektiv merkatoje i kuqezinjve, Saint-Maximin, për të cilin klubi i Nices nuk ka ndërmend të negociojë çmimin prej 25 milionë eurosh.
Sidoqoftë, për të mbetur te kundërshtimi i afrimit të Everton në Milano, kuptohet se në nivel administrativ reflektohet fakti se Gazidis dhe Leondardo nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët, përkundrazi kanë ndasi të theksuara. Kjo është arsyeja që në fund të sezonit grupi “Elliot” mund të rishqyrtojë pozicionin e Leonardos.