Aisha al-Loulu kishte nevojë për një operacion për të hequr tumorin në tru dhe për hemoterapi në Jerusalemin lindor, ndërsa autoritetet izraelite nuk lejuan prindërit e saj të shkojnë me të
Dy muaj më parë, Aisha al-Loulou, një vajzë 5-vjeçare nga kampi i refugjatëve Bureixh në Rripin e Gazës, u sëmur. Ajo u ankua se kishte dhimbje të rënda koke dhe nxirrtje jashtë pothuajse çdo gjë që hante. Prindërit e saj e çuan atë në klinikën e kampit, të drejtuar nga UNRWA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët. Ajo u diagnostifikua se kishte një problem me barkun. Ata i dhanë ilaçe për t’i larguar dhimbjet, por dhimbja dhe vjellja vazhduan. Pak ditë më vonë, prindërit e saj e kthyen atë në klinikë, transmeton gazeta KOHA shkrimin Haaretz. Mjekët tani thanë se po vuante nga një infeksion i nofullës. Skeptik, prindërit e saj e çuan atë te një mjek privat. Ai diagnostikoi një sëmundje gastrointestinale. Një diagnozë tjetër, në spitalin Shuhada al-Aksa në Dir al-Balah, ishte se Aisha kishte një infeksion urinar. Ajo mori trajtim intravenoz, ju përshkruan medikamente të tjera, dhe ajo u dërgua në shtëpi. Por vajza e vogël vazhdoi të vuante, ajo villte gjatë gjithë natës.
Të nesërmen, më 11 prill, prindërit e saj e çuan atë në spital, ku ajo do të mbahej brenda natës. Testet u zhvilluan por nuk u zbulua asgjë definitive. Gjendja e saj vazhdoi të përkeqësohej. Po atë pasdite, ajo humbi vetëdijen dhe ra në koma. Prindërit e saj bëjnë me dije se ajo godiste veten dhe tërhiqte flokët derisa ishte në gjendje të pavetëdijshme. Spitali dyshonte tani se ajo vuante nga meningjiti dhe i dhanë ilaçe në përputhje me gjendjen. Rezultatet nga një CT kontroll nuk paraqitën asnjë zbulim të veçantë, është shprehur mjeku. Por pastaj, Aisha filloi të ketë konvulsione në mbrëmje. Asaj iu dha Assival (Valium) për tu qetësuar. Konvulsionet vazhduan deri në ora 3 të mëngjesit. Mjekët thanë se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Në gjendje të pavetëdijshme, ajo u dërgua në Shifa, spitali qendror në Rripin e Gazës. Bazuar në CT skanimin të bërë më herët, mjekët në Shifa për herë të parë diagnostikuan një tumor të trurit. Ata gjithashtu gjetën lëngje të tepërta në tru dhe futën një tubë për ta zbrazur atë, pasi prindërit e fëmijës i dhanë leje procedurës invazive.
Ishte e premte, 12 prill. Gjatë pasdites, Aisha u zgjua dhe u kthye në jetë. Ajo u tha prindërve se dhimbja ishte zhdukur. Familja ka një videoklip ku ajo shfaqet duke luajtur pas operacionit për futjen e tubit.
Prindërit e Aishës, babai i saj, Uissam al-Loulou, 37 vjeç, dhe nëna e saj, Muna Auad, 27 vjeçare, po e tregojnë gjithë këtë nga ballkoni i mbyllur i shtëpisë së tyre në kampin e refugjatëve Bureixh. Çifti ka tre fëmijë të tjerë të vegjël. Kohë pas kohe, njëri prej tyre, Ribka 4 vjeçare ose Hasani, i cili është 2 e gjysmë, ngjiten në prehrin e babait ose nënës së tyre dhe ulen në krahët e tyre. Uissam është i diplomuar për menaxhment në Universitetin islamik të Gazës, por aktualisht është i papunë. Ai u detyrua të mbyllë dyqanin e tij të vogël ushqimor, sepse nuk kishte konsumatorë dhe në çdo rast ai kishte nevojë për prodhimet, në mënyrë që të ushqente familjen e tij. Që atëherë, të ardhurat e vetme të familjes kanë qenë ndihmat që marrin nga agjencitë humanitare.
Rripi i Gazës është nën rrethim. Fytyra e Munës është e mbuluar. Vetëm sytë e saj të maskuar janë të dukshme përmes mbulesës së zezë. Uissami mban një galabije me ngjyrë të hapur. Biseda jonë po zhvillohet përmes Skype: Gjatë 13 viteve të fundit, autoritetet izraelite kanë ndaluar gazetarët izraelitë që të hyjnë në Gazë, përveç atyre të shoqëruar nga njësitë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit gjatë pushtimeve të Rripit. Për të vazhduar historinë e Aishës: Ajo u shtrua në spital për pesë ditë në repartin neurokirurgjik të Shifës. Prindërve të saj ju tha se ajo duhej të dërgohej urgjentisht në Spitalin Makased në Jerusalemin Lindor për operacion, për të hequr tumorin dhe pastaj për filluar me kimioterapinë, gjë që nuk është e mundshme në Rripin e Gazës. Tani ishte e nevojshme të marrurit me burokracinë e okupimit izraelit, në mënyrë që Aisha të dërgohet në Jerusalem sa më shpejt që të ishte e mundur. Ishte e qartë se jeta e saj ishte në rrezik. Prindërit e saj aplikuan në Ministrinë për Çështje Civile të Autoritetit Palestinez, e cila punon me Administratën Koordinuese dhe Ndërlidhëse izraelite. Nga atje, atyre u tha se do të duhej pesë ditë për të përpiluar dokumentet e autorizimit, dy ditë nga pala palestineze dhe tri ditë për të marrë një përgjigje nga pala izraelite, transmeton KOHA.
Uissam thotë se atij i është thënë nga Zyra palestineze se për shkak të moshës së tij të re, do të ishte shumë e vështirë për të marrë një leje hyrjeje në Izrael për të, dhe se do t’i nevojitej Izraelit tre javë për të bërë një kontroll të sigurisë. Situata ishte edhe më e komplikuar për nënën e Aishës: Muna nuk ka letërnjoftim të lëshuar nga Regjistri i Popullsisë izraelite, ajo që llogaritet në Gaza. Ajo është një palestineze e lindur në Libi, familja e së cilës fillimisht është dëbuar me dhunë nga Maxhdali, Ashkeloni i sotëm dhe ajo është rritur në Egjipt. Ajo është futur në Rripin e Gazës me leje vizitori dhe ka vazhduar të jetojë atje pa një letërnjoftim të njohur nga qeveria izraelite. Ajo ka vetëm një letërnjoftim të lëshuar nga Hamasi, i cili është i pabazë sa i përket Izraelit. Ministria për Çështje Civile e Autoriteteve palestineze u ka thënë Uisamit se nuk kishte mundësi që ai ose Muna të merrnin leje për të hyrë në Izrael. Ata kërkuan emrat e të afërmve të tjerë që mund të ishin në gjendje të shoqëronin Aishen gjatë përvojës së saj të hidhur. Uissam sugjeroi nënën e tij, gjyshen e Aishës, Ribka 75 vjeçare. Zyrtarët palestinezë u kthyen tek izraelitët dhe iu thanë se do të duhej gjithashtu tre javë për të bërë një kontroll të sigurisë mbi gjyshen. Ndoshta ka dikush tjetër në familje, pyeti ministria palestineze. Uissam u dha emrat e tre prej tezave të Aishës, plus ato të një xhaxhai dhe gruaja e një xhaxhai. Ai parashtroi pesë kërkesa dhe shpresonte që Izraeli të miratonte të paktën një. Gjyshja dhe një prej tezeve kishin marrë lejen për të kaluar nëpër pikën e kontrollit të Erezit mes Gazës dhe Izraelit, për të shkuar në Jordan para një gjysmë viti. Halla tjetër më vonë kishte marrë një leje udhëtimi për të shkuar në konsullatën amerikane në Jerusalem, për të marrë një vizë hyrjeje për në Shtetet e Bashkuara.
Në spitalin Makassed, operacioni i Aishas ishte planifikuar për më 16 prill. Koha ishte thelbësore, jeta e saj ishte e varur nga një fije. Nuk kishte leje hyrjeje nga Izraeli. Nuk kishte asnjë mënyrë për ta dërguar fëmijën në Jeruzalemin Lindor në ditën e caktuar. Shtrimi i saj në spital u ricaktua për më 17 prill. Ndërkohë, Ministria për Çështje Civile sugjeroi që Uissam të paraqiste emra të njerëzve të tjerë, të huaj, jo anëtarë të familjes. Ndoshta kontrolli i sigurisë do të shkonte më shpejt për ta. Në mënyrë të dëshpëruar, familja pyeti njerëzit që ndodheshin në spitalin Shifa nëse do të ishin në gjendje për të shoqëruar vajzën e tyre në Jeruzalemin Lindor për operacionin në tru dhe për kimioterapi.
Gjashtë emrat e vullnetarëve që familja nuk i njihte iu dorëzuan ministrisë palestineze për t’ia dhënë Izraelit. Pas një kontrolli të shpejtë, aparati i pushtimit izraelit zgjodhi emrin e Halima al-Adess, 55 vjeç, një banore e kampit të refugjatëve Shati, e cila ishte një e njohur e një prej tezeve të Aishës. As Aisha, as prindërit e saj nuk e njihnin gruan që do të kalonte javët e ardhshme fatale me vajzën e tyre të vogël, në atë vend të largët. Atë ditë prindërit dhe përcjellësja shkuan në vendkalimin Erez me Aishën. Ajo dhe gruaja që do ta shoqëronte atë, duhej të hipnin në një autobus për t’i çuar ato nga pika e kontrollit palestinez në pikën e kontrollit izraelit. Prindërit u detyruan të shkëputen nga vajza e tyre e sëmurë. Aisha ishte e gatshme për udhëtimin fizikisht, por emocionalisht ishte e trishtuar. Ajo nuk do të ndalet duke qarë dhe nuk pranoi të largohej nga prindërit e saj. Ajo bërtiste se donte të shkonte në shtëpi dhe nuk dëshironte të shkonte me një grua që nuk e njihte. Aisha kurrë më parë nuk kishte dalur nga Rripi i Gazës.
Nëna e saj u përpoq ta qetësonte. Ajo i tha asaj se ajo duhej të shkonte, se ishte e vetmja mënyrë që ajo të shërohej, kështu që ajo nuk do të kishte më dhimbje koke dhe se kur të kthehej në shtëpi, do t’i blinin të gjitha lodrat që dëshironte. E rraskapitur dhe ende duke qarë, Aisha pranoi të hipte në autobus. Nëna e saj e shoqëroi atë në vendin e saj dhe zbriti nga autobusi. Ajo kurrë më nuk do ta shihte sërish vajzën e saj të vogël në vetëdije.
Pasi kaluan vendkalimin, të dyja udhëtuan me taksi për në Jeruzalem. Gjatë gjithë rrugës, prindërit e Aishës kanë folur me atë përmes telefonit, duke u përpjekur që ta inkurajojnë. Megjithatë, Aisha qau në pjesën më të madhe të udhëtimit. Operacioni, i kryer më 21 prill, zgjati pesë orë. Aisha u zgjua ditën tjetër. Mjekët thanë se kishin hequr tumorin, por se kimioterapia duhet të fillojë shpejt. Ata u thanë prindërve se gjendja psikologjike e vajzës së tyre ishte e tmerrshme, duke qenë larg tyre dhe se kjo mund të ndikonte në shanset e saj për rimëkëmbje. Ishte e domosdoshme që të paktën njëri prej tyre të jetë pranë saj. Një vizitor në spital i dha Aishes 20 sikla (5,50 dollarë), dhe ajo i pyeti prindërit e saj me telefon se çfarë të bënte me paratë. Ata i thanë asaj t’i mbante ato dhe se kur të vinte në shtëpi ata do të blinin asaj lodra. Pas kësaj, gjendja e saj u përkeqësua.
Fytyrat e prindërve janë të zymta, kohë pas kohe ata i ulin shikimin në drejtim të dyshemesë. Nëna e Aishës është e heshtur, babai i saj tregon historinë. Ai kujton se si një përfaqësues i një OJQ izraelite për të drejtat e njeriut u bëri thirrje atyre duke u kërkuar detaje dhe një kopje të ID-ve të tyre në një përpjekje për të ndihmuar. Një i afërm izraelit që jeton në Lod paraqiti një kërkesë në Qendrën për Paqe Peres, në përpjekje për të marrë një leje hyrjeje për një nga prindërit. Qendra palestineze për të Drejtat e Njeriut Al Mezan gjithashtu paraqiti një kërkesë për një nga prindërit që do të lejohej në Izrael. Asgjë nuk doli nga këto përpjekje. Ditët kaluan pa përgjigje nga pala izraelite. Aisha ishte vetëm me një grua që nuk e njihte.
Zëdhënësi i Njësisë për koordinimin e Aktiviteteve të Qeverisë në Territoret i tha Haaretz këtë javë: “Kundrejt raporteve të ndryshme, Izraeli lejoi hyrjen e vajzës Aisha a-Loulou për trajtim mjekësor në një spital të Jeruzalemit Lindor, pasi prindërit e saj nënshkruan një deklaratë se ata nuk dëshironin të shkonin me të nga Rripi i Gazës dhe kërkuan që ajo të shkonte me një mik të familjes, që hyri me të dhe qëndroi me të gjatë trajtimeve. Ne gjithashtu dëshirojmë të theksojmë se në kundërshtim me raportet, Aisha a-Loulou vdiq në Rripin e Gazës, pasi u kthye në shtëpinë e saj dy javë më parë, në përfundim të një operacioni që për fat të keq ishte i pasuksesshëm në Spitalin Makased. Dëshirojmë të theksojmë se, në përputhje me politikën e saj, Administrata e Bashkërendimit dhe Ndërlidhjes kërkon përcjelljen e prindërve për trajtimin mjekësor të të miturve, bazuar në kuptimin që një fëmijë ka nevojë për prindërit e vet në momente të tilla. Edhe në këtë rast, në përputhje me procedurën e ABN, prindërit e Aishës u kërkuan të dërgonin një dokument deklarimi, sipas të cilit ata nuk ishin të interesuar të shoqëronin vajzën e tyre gjatë trajtimeve për arsye të tyre – dhe kërkuan që dikush tjetër të shoqëronte atë në emër të tyre.”
Uisam, babai i Ajshës, na tha këtë javë, “FMI kanë vrarë vajzën time. Izraeli e ka vrarë atë”.
Ajo përfundimisht u transferua në Spitalin Augusta Victoria në Jersualemin lindor për kimioterapi. Por gjendja e saj filloi të përkeqësohej me shpejtësi të frikshme. Përsëri, prindërve të saj u është thënë se fakti që ajo ishte në një mjedis të huaj, pa ata dhe pa asnjeri që e njihte, po ndikon në gjendjen e saj. Brenda dy ditësh ajo u paralizua dhe gjithashtu humbi fuqinë e të folurit. Familja vendosi të provonte përsëri të merrte një leje, të bënte gjithçka për të arritur tek ajo. Por autoritetet u thanë atyre se nuk kishte asnjë mundësi. Spitali vendosi që do të ishte më mirë që vajza të kthehej në shtëpi sa më shpejt që të ishte e mundur. Ajo nuk ishte më në vetëdije. Ishte 7 maj.
Vozitësi i një ndihme të shpejtë private kërkoi 1.500 sikla (415 dollarë) për të marrë Aishën nga Jerusalemi në pikën e kontrollit Erez. Gruaja që shoqëroi Aishen nuk kishte të holla. Ajo mbuloi Aishen në një qarqaf nga Spitali i Augusta Victoria dhe e vuri në ulësen e pasme të një taksi. Këto ishin ditët e fundit të Aishës. Prindërit e saj tregojnë qarqafin që ishte mbështjellë vajza e tyre në gjendje të pavetëdijshme gjatë rrugës për në shtëpi. Për fotografinë e përbashkët që shfaqen këtu, ata mbulohen me çarçaf, në të cilin ende e ndjejnë aromën e vajzës së tyre, sikur përqafojnë trupin e saj. Ishte e pamundur për ta futur atë në autobus në Erez për shkak të gjendjes së saj të komplikuar dhe të përkeqësuar. Ajo u mor në një skuter me tre rrota. Prej pikës së kontrollit, prindërit e saj e çuan atë në Al-Rantisi, një spital pediatrie, i cili fillimisht nuk pranoi ta pranonte atë për shkak të gjendjes së saj dhe e referoi atë te Shifa. Në Shifa, prindërve u tha se ajo duhet të mbetet në Rantisi. Në fund ata e morën atë në shtëpi, në Bureij.
Të nesërmen ata u detyruan ta kthenin në Rantisi. Mjekët thanë se nuk kishte më shumë që mund të bëhej. Ajo kaloi shtatë ditë në spital, pa mundësinë që stafi të bënte ndonjë gjë. Të mërkurën e kaluar, më 15 maj, në orën 6 të mëngjesit, spitali telefonoi prindërit e saj për të ardhur menjëherë. Ata qëndruan me të gjatë gjithë ditës, duke parë vajzën e tyre duke vdekur. Në ora 6 atë mbrëmje, Aisha vdiq derisa prindërit qëndronin pranë saj më në fund.
(Përktheu Emin Axhami)