Të paktën shtatë palestinezë kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite të ndërmarrë në Rripin e Gazës nën bllokadë, ndërsa ushtria izraelite ka njoftuar se një ushtar ka humbur jetën gjatë konflikteve, transmeton Anadolu Agency.
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Eshref el-Kudra, në një deklaratë me shkrim ka konfirmuar se shtatë palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe shtatë të tjerë janë plagosur në sulmet e kryera në kufirin lindor të rajonit Han Junus.
Kudra tha se të gjitha ekipet e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë janë vendosur në gatishmëri.
Është vrarë një ushtar izraelit
Nga ana tjetër, ushtria izraelite në lidhje me incidentin thotë se “forcat speciale të ushtrisë izraelite kanë kryer një operacion sigurie në Rripin e Gazës dhe se në konfiktin e përjetuar ka humbur jetën një ushtar dhe është plagosur lehtë një tjetër”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një konferencë për media tha se është përcaktuar se nga Gaza drejt Izraelit janë hedhur 10 raketa, nga të cilat dy janë neutralizuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore “kubeja e hekurt”.
Ndërkohë bëhet e ditur se nga ana e Gazës ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për raketat e hedhura.
Deklarata në fjalë është bërë pasi ushtria e Izraelit kishte ndërmarrë sulme në jug të Rripit të Gazës nën bllokadë dhe ku shtatë palestinezë kanë rënë dëshmorë.
Brigada Izzeddin el-Kassam, të cilat janë krahu i armatosur i Hamasit, në lidhje me detajet e ngjarjes më parë kishte njoftuar se një grup ushtarësh izraelite kanë hyrë me një automjet civil deri në 3 km brenda rajonit Han Junus në jug të Gazës dhe se kishin kryer atentat ndaj Nur Bereke, një prej komandantëve të Brigadës.
Ndërsa ushtria izraelite në lidhje me ngjarjen ka deklaruar se, “Forcat tona kanë kryer një operacion sigurie në Rripin e Gazës. Pas operacionit ka ndodhur përleshje”.