Administrata e burgjeve izraelite ndalon vizitat familjare dhe të avokatëve për të burgosurit palestinezë, raporton Anadolu Agency (AA). Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Kadura Faris në një deklaratë për AA tha se zyrtarët e burgjeve izraelite kanë njoftuar organizatën ndërkombëtare Kryqi i Kuq se “Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar me grevën e urisë, janë anuluar vizitat”. Duke e vlerësuar ndalimin e vizitave si “një praktikë ndëshkuese për të thyer grevën e urisë”, Faris tha se dje, në ditën e parë të grevës, ata të cilët iu prinë grevës janë ndarë nga të burgosurit e tjerë dhe janë dërguar në burgje të tjera dhe të izoluara. Ndërkaq, Organizata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Administrata e burgjeve izraelite nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen. Ndryshe, n burgjet izraelite dje në mëngjes rreth dy mijë palestinezë filluan grevën e urisë për t’i përmirësuar kushtet e burgimit dhe për t’i dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe praktikave arbitrare të Izraelit. Qindra palestinezë që po mbahen në burgjet izraelite janë në filli të një greve masive të urisë në protestë ndaj kushteve në të cilat po trajtohen. Veprimi është duke u udhëhequr nga Marwan Barghouti, një lider palestinez i burgosur nga Izraeli për pesë vrasje. Barghouti, një figurë kyçe në fraksionin e presidentit palestinez Mahmoud Abbas, Fatah, është cilësuar si pasuesi i mundshëm i Abbasit. Ekziston frika që protesta mund të ndezë tensionet përgjatë Bregut të pushtuar Perëndimor. Sipas shërbimit të burgjeve të Izraelit, 1187 palestinezë në burgjet izraelite janë duke u bashkuar grevës së urisë, që përkon me Ditën e të Burgosurve Palestinezë.