Nesmir Sulejmani, njëri ndër qytetarët të cilët është kthyer me fluturimet humanitare nga Bazeli i Zvicrës për në Shkup, ka thënë për gazetën KOHA, se Qeveria i ka vendosur në një hotel në Mavrovë dhe kryesisht hoteli posedon kushte solide
Zenel MIFTARI
Shkup, 4 prill – Të gjithë qytetarët, të cilët kthehen nga jashtë vendit në Maqedoninë e Veriut, janë të detyruar të vendosen në karantina shtetërore pa marrë parasysh se a janë të prekur nga virusi korona apo jo, sepse qëllimi është që të mbrohet shëndeti kolektiv dhe shëndeti i çdo qytetari. Karantina shtetërore është e detyrueshme për të gjithë qytetarët tanë të cilët kthehen në vend dhe zbatohet deri në fund të 14 ditëve, pra periudha e inkubacionit të virusit korona.
Studiuesit kanë ardhur në përfundim se izolimi dhe mbyllja në shtëpi është mjeti i vetëm që mund të luftohet virusi korona. Karantina zakonisht përcaktohet për periudhën e inkubacionit të sëmundjes ngjitëse. Për COVID-19, periudha e karantinës është 14 ditë, nga data e fundit e ekspozimit, sepse 14 ditë është periudha më e gjatë e inkubacionit që shihet për koronaviruse të ngjashme. Për këtë arsyeje, Qeveria ka ndërmarrë masa që të mbyll shkollat, universitetet, të izoloj personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit nga virusi korona apo vijnë nga zonat që janë të prekur nga virusi korona, ka kufizuar lirin e lëvizjes së qytetareve si dhe masa të tjera. Këto masa, sipas eksperteve, ulin nivelin e përhapjes së virusit korona nga 80 deri në 99 për qind. Epidemiologët, thonë se të paktën një muaj kalendarik izolim i tërësishëm është i domosdoshëm për ta luftuar virusin korona.
Qeveria e RMV-së, ka vendosur që përmes të ashtuquajturat fluturimeve humanitare, t’i rikthej qytetarët e saj në vend. Të gjithë qytetarët që janë rikthyer, është dashur që të nënshkruajnë një marrëveshje mes tyre dhe Qeverisë, ku detyrohen që të paguajnë biletën e aeroplanit, pasi të kthehen në vend dhe të vendosin menjëherë në karantina shtetërore për 14 ditët e ardhshëm.
Nesmir Sulejmani, njëri ndër qytetarët të cilët është kthyer me fluturimet humanitare nga Bazeli i Zvicrës për në Shkup, ka thënë për gazetën KOHA, se Qeveria i ka vendosur në një hotel në Mavrovë dhe kryesisht hoteli posedon kushte solide. “Është dita e tret që jemi në karantinë shtetërore. Jemi afër 40 persona në hotel dhe jemi të ndarë nga dy tre apo katër persona në çdo dhomë, varësisht sa krevat ka dhoma. Vlen të cekët se edhe ushqimin relativisht e kemi të mirë dhe kemi tre vakte në ditë”, është shprehur ai.
Ndryshe, të gjithë udhëtarët të cilët janë riatdhesuar, të gjithë janë kontrolluar nga stafi mjekësor dhe më pastaj janë akomoduar në dhomat e hotelit. Aty qytetarët e vendit do të jenë të izoluar për 14 ditët e ardhshëm. (koha.mk)