Delvina KËRLUKU
Muhamed Ali u lind në vitin 1982 në Shkup. Përfundoi shkollën fillore në Tefejjuz, ndërsa të mesmen në Medresenë e Isa Beut, në Shkup. Studimet deridiplomike në fushën e drejtësisë dhe filozofisë së të drejtës Islame i kreu në Universitetin i Kuvajtit, si bursist i qeverisë kuvajtiane. Pas kthimit në vendlindje magjistroi në Universitetin e Evropës Juglindore në fushën e diplomacisë, ndërsa titullin doktor i shkencave politike morri në Fakultetin Juridik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Pas punës afro katërvjeçare në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, si profesor i së drejtës Islame, vazhdoi karrierën akademike në Universiteti ndërkombëtar i Sarajevës, ku pos ligjërimit në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave Sociale dhe Fakultetin Juridik, kreu disa detyra kyçe menaxhuese si pro-rektor, u.d. dekan, kryekëshilltar dhe përfaqësues i lartë i rektorit. Është autor i disa librave dhe kapitujve librash, disa nga të cilat janë botuar në shtëpitë botuese më prestigjioze në botë si Peterlang, Springer, Brill. Po ashtu, është profesor vizitues nëpër universitete të ndryshme të rajonit dhe botës.
KOHA: I nderuar z.Ali, jeni doktor i shkencave politike, studim ky që ju ka kushtuar kohë në Maqedoni, por edhe në Kuvajt. Cila është përvoja që keni marrë në këto dy vende. A takohet sistemi arsimor mes dy vendeve, apo ka dallim të madh?
ALI: Gjatë takimeve me studentët e mi që vijnë nga vende të ndryshme të botës, si nga Bosnja, Maqedonia, Turqia, Evropa Perëndimore, Lindja e Mesme, Afrika, Amerika Latine, gjithnjë theksoj faktin se gjatë studimeve të tyre jashtë vendlindjes së tyre duhet të mburren me faktin se diplomojnë në “dy universitete”, universiteti formal, ku ndjekin studimet dhe “universiteti joformal” pra përvoja e tyre disavjeçare jashtë vendlindjes së tyre. Kuwait University (Universiteti i Kuvajtit), universitet ku i mbarova studimet deridiplomike është një nga universitetet më prestigjoze në Lindjen e Mesme me një buxhet që tejkalon buxhetin bile edhe disa shteteve të botës. Ky universitet si një ndër universitetet më të vjetra të Gjirit Persik, rajon ky që konsiderohet si një nga rajonet më të pasura të botës, ka luajtur rol kyç në përgatitjen e elitave të ndryshme të shteteve të këtij rajoni. Sistemi i arsimit të lartë të Kuvajtit është ndikuar dukshëm nga sistemet perëndimore duke pasur parasysh faktin se ky shtet ishte koloni e Mbretërisë së Bashkuar dhe tani aleate e ngushtë e SHBA-së. Ndonëse, nevojiten ende reforma për avancimin e sistemit të arsimit të lartë në Kuvajt, megjithatë janë bërë hapa të rëndësishëm dhe si pasojë radhitet si një nga sistemet arsimore më të mira në rajonin e Lindjes së Mesme. Nga përvojat e mia më të rëndësishme do të veçoja ambientin në konviktin e Kuwait University ku qëndrova gati pesë vite. Një nga pikat dalluese e këtij ambienti ishte fakti se shoqëroheshim me studentë që vinin nga mbi 50 shtete të ndryshme të botës. Kjo në vete ishte një përvojë e shkëlqyeshme për njoftimin me tradita dhe kultura të ndryshme nga të gjitha anët e botës. Pas kthimit tim në vendlindje magjistrova në Universitetin e Evropës Juglindore dhe doktorova në Fakultetin Juridik pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi. Në këto dy institucione u njoftova me profesorë të përgatitur mirë dhe me studentë shumë të aftë, por edhe vërejta edhe investimin e dobët të shtetit në arsimin e lartë. Shpresoj që do të vjen koha ku arsimi do të jetë prioriteti më i madh i shteteve të rajonit tonë
KOHA: Përpara se të ikni nga Maqedonia, ju keni qenë pjesë e Fakultetit të Shkencave Islame, në Shkup. Çfarë flet kjo kohë?
ALI: Jeta akademike është një investim që fillon nga fëmijëria e vazhdon deri në vdekjen e njeriut. Ndërsa, frytet e saj Nuk mund të arrihen brenda një periudhe të shkurtër. Kemi të bëjmë me një investim shumë dekadash dhe me fryte afatgjata. Në një periudhë të tranzicionit të shtetit dhe shoqërisë sonë pas një periudhe të gjatë të sistemit monist u ballafaquam dhe ende po ballafaqohemi me vlera të reja dhe të ndryshme të jetës sonë të përditshme. Përkushtimi i individit jetës akademike në këtë gjendje të re të shoqërisë së tranzicionit në kushtet e varfërisë, papunësisë, defektet në sistemin arsimor dhe ndërhyrjen e skajshme të politikës në jetën e individëve është një nga sfidat e mëdha të individëve të shoqërisë sonë moderne. Pikërisht, në këtë kontekst Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup ka një rëndësi të veçantë për jetën time akademike. Pikërisht ky institucion ishte i pari që hapi dyert për mua në vitin 2010 si një doktorant i ri në Fakultetin Juridik të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi. Në Fakultetin e Shkencave Islame si doktori më i ri këtij institucioni të lartë arsimor u gjeta para disa sfidave. Sfida e parë kishte të bën me moshën, ngase mosha ime dallonte nga profesorët tjerë nga 10 deri në 20 vjet, kjo vlente edhe për studentët. Përdorimi efektiv i teknologjisë në mësimdhënie, komunikimi i afërt me studentët ishin pikat dalluese të përvojës sime akademike në këtë institucion. Pika tjetër dalluese e punës sime në këtë fakultet ishin aktivitetet e mia akademike edhe jashtë kufijve të Maqedonisë qofshin si publikime ndërkombëtare apo prezantime në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare me çka shpresoj se dhashë kontribut të veçantë ngritjes së reputacionit të këtij institucioni.
KOHA: Islami dhe shkenca – përputhshmëria apo konflikti?
ALI: Në të kaluarën moniste të shoqërisë sonë, sistemi i atëhershëm me çdo kusht mundohej që fetë, e sidomos atë islame, t’i largon nga të gjitha sferat e jetës së përditshme. Këto debate rreth përputhshmërisë apo jopërputhshmërisë së Islamit me shkencën i takojnë një periudhe dhe sistemi të vjetër, i udhëhequr nga ideologji të caktuar. Për të dhënë përgjigjën rreth kësaj pyetjeje, mjafton analizimi i librit të shenjtë të myslimanëve, Kur’anit dhe porosive të Profetit Muhamedit. A mund që të ketë konflikt mes shkencës dhe fesë. e cila barazon penën e dijetarit me gjakun e dëshmorit. Apo prapë pyes, a mund që të ketë papajtueshmëri mes shkencës dhe një feje që i jep më shumë vlerë gjumit të shkencëtarit sesa adhurimit të një injoranti. Mbi të gjitha, a mund të luftohet shkenca nga një fe e cila porosinë e parë e ka lidhur me leximin. Duke mos u zhytur shumë në teori, ju lutem më lejoni të jap vetëm disa shembuj nga historia e Civilizimit Islam. A e dini se një nga civilizimet më të avancuara në fushën e shkencës dhe kulturës që ka njohur ndonjëherë Evropa, është civilizimi Islam i Andaluzisë (ndodhur në Spanjën e sotme). Ky civilizim ka mbijetuar plotë disa shekuj (711-1492) në zemrën e Evropës dhe ka vënë themelet e ngritjes shkencore, kulturore dhe artistike të Evropës moderne. Gjithë kjo ka ndodhur në periudhën e Evropës Mesjetare, ku në mënyrën më të ashpër janë luftuar liritë fetare, shkenca dhe arti. A e dini se shkollat e Andaluzisë kanë qenë qendrat më të njohura të shkencës të asaj kohe në Evropë, dhe se të rinjtë krishterë nga gjithë Evropa kanë garuar se kush do të ketë fatin të studion në këto qendra arsimore. Sa për ilustrim, mund të përmendim vetëm dy shkencëtarë të arsimuar në këto qendra si Averroes (musliman) dhe Maimonides (hebre), të cilët kanë lënë gjurmë të thella në historinë e shkencës në përgjithësi. Nga ana tjetër, do të kisha veçuar edhe shembullin e Perandorisë Osmane dhe zhvillimin e saj. Parashtrohet pyetja se, vallë a mund të paramendohet një Perandori e madhe si ajo Osmane (që ka qenë një ndër faktorët më kryesor të marrëdhënieve ndërkombëtare për plotë pese shekuj dhe që ka sjellë paqe në dy rajonet më të ndjeshme botërore, Ballkani dhe Lindja e Mesme, gjë që nuk mund të arrihet tani), që të ketë një administratë efikase, diplomaci të avancuar dhe ushtri moderne për kushtet e kohës, pa u bazuar në shkencë dhe pa i dhënë prioritet të veçantë avancimit të saj.
KOHA: Ç’flet përvoja juaj dhe si arritët të inkuadroheni si pjesë e stafit në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës?
ALI: Jeta akademike, pos mbajtjes së ligjëratave, hulumtimit, nënkupton edhe bashkëpunimin me akademikë të ndryshëm ndërkombëtar, me qëllim të thellimit dhe shkëmbimit të përvojave të ndryshme akademike. Platforma më efikase për realizimin e këtij qëllimi janë konferencat ndërkombëtare të mbajtura nëpër qendrat akademike dhe shkencore të botës. Ndonëse kam shumë për të komentuar lidhur me konferencat akademike të organizuara në rajonin tonë, megjithatë këtë mund të debatojmë në një rast tjetër. Sidoqoftë, në një nga konferencat e llojit të përmendur më sipër u kontaktova nga përfaqësuesit e UNS, ku pas analizimit të shpejtë të CV-s sime mora ofertë për t’u bërë pjesë e stafit akademik të këtij universiteti. Nuk ishte lehtë të marrë vendim, ngase në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, kisha një karrierë të shkëlqyeshme akademike. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se oferta vinte nga një universitet ku mbizotëron ambienti akademik ndërkombëtar, ku do të përfitoja përvoja të reja vendosa që të pranoj ofertën.
KOHA: Madje, në UNS keni arritur të merrni pozitat më të larta, duke qenë edhe pjesë menaxhuese. Si funksionon sistemi arsimor sipëror atje?
ALI: International University of Sarajevo (Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës) është universitet jofitimprurës, i hapur nga Fondacioni Sedef më 2004. Fondacioni deri më tani ka investuar me dhjetëra milionë dollarë për infrastrukturën dhe ngritjen e kualitetit të stafit akademik dhe studentëve. Kampusi i universitetit është një nga kampuset më moderne të rajonit të Evropës Juglindore dhe në të punojnë profesorë eminentë nga 25 shtete dhe studiojnë studentë nga 50 shtete të ndryshme të botës. Që nga viti 2014 jam pjesë e menaxhmentit më të lartë të këtij universiteti, dy vite si pro-rektor e një vit si kryekëshilltar dhe përfaqësues i lartë i rektorit. Gjatë tre viteve të fundit kemi arritur që universitetin ta shndërrojmë në një ndër universitetet më të mira të rajonit. Pos akreditimeve vendore dhe ndërkombëtare, vitin e kaluar arritëm që të fitojmë edhe akreditimin shtesë e QA Austria, me çka numërohemi si një ndër universitetet e rralla të rajonit që posedojnë këtë akreditim prestigjioz ndërkombëtar.
KOHA: Ju keni vizituar edhe Universitetin Anadolu, një nga universitetit më prestigjioze në Turqi?
ALI: Me anë të projektit Erasmus Plus gjatë vitit të kaluar qëndrova edhe në Anadolu University që konsiderohet si një ndër universitetet më të mëdha të Turqisë. Pos mbajtjes së ligjëratave lidhur me politikën e jashtme turke në rajonin e Ballkanit dhe implikimet e kësaj politike në rajon, kisha rastin të takohem edhe me studentët shqiptarë. Rezultati tjetër i kësaj vizite ishte edhe shkëmbimi i përvojave me menaxhmentin më të lartë të këtij universiteti.
KOHA: Ju keni dhënë ndihmë në forma e mënyra të ndryshme, për çështjen e edukimit jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë, Turqi, Bosnjë Hercegovinë dhe së fundi jeni vendosur vetëm në Sarajevë. Cila është e veçanta e këtij vendi që ju tërheq kaq shumë?
ALI: Nëse analizojmë historinë e shkencës, do të vërejmë se në të kaluarën shkencëtarët kanë bërë sakrifica të mëdha, duke udhëtuar në vende të ndryshme të botës me mjete transportuese shumë primitive me të vetmin qëllim, për të shtuar dijen dhe përvojat e tyre. Në kohën moderne avancimi i mjeteve të transportit, të komunikimit, zhvillimi i hatashëm i teknologjisë, luajnë rol të veçantë për zhvillimin e shkencës. Duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime teknologjike, është më shumë se fatale izolimi i një akademiku brenda shoqërisë apo brenda kufijve të shtetit. Nisur nga kjo, periudha të caktuara të vitit mundohem t’i kaloj nëpër institucione kërkimore-shkencore dhe universitete të ndryshme të rajonit dhe botës si profesor vizitues. Në këtë kontekst, pos përvojave të ndryshme në universitetet e rajonit, sivjet planifikoj që të jem profesor vizitues edhe në disa universitete të Tajlandës dhe Malezisë. Në këtë kontekst, duhet të theksoj se që nga viti 2014 jam vendosur në Sarajevë, bashkë me familjen. Sarajeva që ndryshe njihet edhe si Jerusalemi i Ballkanit, është pikë takimi dhe gërshetimi i kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme. Kishat, teqetë, xhamitë, sinagogat, katedralet etj, përbëjnë një mozaik të paparë për këtë qytet të mrekullueshëm të Ballkanit. Koekzistenca dhe toleranca ndërfetare dhe ndërkulturore, padyshim mund të shërbejë si një model i mirë për shoqëritë dhe qytetet tjera të botës, në veçanti për botën perëndimore që në kohën e fundit seriozisht përballët me problemin e ksenofobisë dhe islamofobisë. Në këtë kontekst, nuk duhet harruar faktin se shqiptarët, bashkë me boshnjakët, ndajnë vlera dhe momente të përbashkëta gjatë historisë. Sundimi disa shekullor i Perandorisë Osmane, ka shkaktuar favorizimin e këtyre dy popujve si në rajonin e Ballkanit gjithashtu edhe në krijimin e kësaj perandorie në kryeqytetin e Stambollit. Shqiptarët bashkë me boshnjakët, kanë qenë pjesë e pandashme e elitës intelektuale, administrative dhe ushtarake të kësaj perandorie. Pas tërheqjes së kësaj perandorie nga këto treva, këta dy popuj janë ballafaquar me sfida të ndryshme, gjë që pos tjerash ka ndikuar në uljen e nivelit të bashkëpunimit. Megjithatë, në kohën e Jugosllavisë kemi një rritje të interelacionit dhe formimin e mërgatës shqiptare që përbehej nga shqiptarët që punonin në fushën e ushqimit apo studentët që dëshironin t’i vijojnë studimet në këtë qytet. Në vitet e fundit kemi një realitet të ri ku studiues, akademikë, profesorë, mjekë shqiptarë janë pjesë e mërgatës shqiptare në Bosnjë, dhe në Sarajevë në veçanti.
KOHA: Jeni autor dhe bashkautor i shumë librave. Leximi ka qenë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha moshat një burim i dijes, kurajës morale. Në botën e sotme më shumë për të njohur dhe për të mësuar dhe gjithashtu nevoja për një përpjekje të vetëdijshme për të pushtuar forcat përçarëse, rëndësia e leximit është rritur?
ALI: Jam autor dhe bashkautor i disa librave dhe kapituj librash prej nga disa janë të botuara në shtëpitë botuese më prestigjioze të botës, si Springer, Brill, Peterlang etj. Është e vërtetë se jetojmë në kohën e globalizmit ku është rritur me të madhe konkurrenca në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe fushën akademike, megjithatë mundi, durimi dhe planifikimi i mirëfilltë gjithnjë rezultojnë me rezultate të mira. Në këtë kontekst, duhet theksuar se ndonëse jemi dëshmitarë të një zhvillimi të hovshëm të teknologjive të ndryshme që ndikojnë me të madhe në përditshmërinë tonë, prapëseprapë leximi ka dhe duhet të ketë vendin qendror në zhvillimin e njeriut dhe shoqërisë moderne. I besoj fuqisë së librit e leximit dhe impaktit transformues të tyre. A thua vallë një Japoni totalisht e shkatërruar në Luftën e Dytë Botërore, rastësisht është ngritur në majën e listës së shteteve më të zhvilluara në botë. Jo, aspak nuk është rastësi. Pika dalluese e shoqërisë japoneze është se çdo japonez mesatarisht lexon mbi 20 libra brenda një viti, që është shumëfish më tepër se mesatarja e popujve të rajonit tonë.
KOHA: Z. Ali, duke marrë parasysh të gjitha arritjet tuaja, cila është shtylla që ju ka mbështetur gjatë gjithë këtij rrugëtimi?
ALI: Vendosmëria, vizioni, shpresa dhe familja janë komponentët kryesor të rrugëtimit tim akademik. Nuk mund të realizohet vizioni pa një vendosmëri të qëndrueshme, e nuk mund të kemi dobi nga vendosmëria pa një vizion të qartë. Nga ana tjetër, mendoj se shpresa për një të ardhme më të mirë duhet të jetë një nga motivet më të theksuara të çdo individi në rrugëtimin e jetës. Ndërsa, familja si qeliza më e dalluar e një shoqërie, pa të cilën vihet në pikëpyetje funksionaliteti i saj, është faktori kyç i sukseseve individuale apo shoqërore.
KOHA: Shumë herë zhytemi në kujtime, duke menduar të kaluarën, vitet e fëmijërisë, ku gjithçka ishte kaq e thjeshtë, ku na mjaftonte pak për të qenë të lumtur. Si e kujtoni ju fëmijërinë tuaj, lagjen, shokët?
ALI: Fëmijëria ime ka kaluar midis dy lagjeve më të vjetra të Shkupit, Gazi Babë dhe Dyqanxhik, ku gjendej familja e madhe e gjyshes sime. Fëmijëria e atëhershme dallohej nga e sotmja, ngase ishte një periudhë ku fëmijët nuk merreshin me lojëra të kompjuterit, por me lojëra që luheshin nëpër mëhallët e lagjeve. Fëmija i atëhershëm ishte më i socializuar nga ai i sotmi, i cili shpesh herë është i izoluar nëpër muret e shtëpisë. Fëmija i atëhershëm ishte më afër natyrës, afër baltës, afër gjelbërimit, afër të natyrshmes. Fëmija i sodit është më afër teknologjisë, më afër izolimit, e më afër artificiales. Pos lojërave të ndryshme nëpër mëhallët e Shkupit, nuk mund të harroj edhe kënaqësinë e pritjes së thirrjes së ezanit dhe ndezjes së kandilave në kohën e iftarit dhe brohoritja njëzëri me moshatarët e mi me fjalët JANDILAR KANDILAR.
KOHA: Z. Ali, cili është edukimi islamik në Maqedoni?
ALI: Arsimimi dhe edukimi islamik në Maqedoni ka rrënjë të thella historike. Një ndër vatrat e para të këtij edukimi në këtë nënqiell është Medreseja e Meddahut, e cila ishte formuar kah fundi i shekullit 14. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane janë hapur medrese të shumta, që në të shumtën e rasteve kanë pasur statusin e universiteteve të sotme. Gjatë sundimit osman pos Medresesë së Meddahit, edhe Medreseja e Isa Beut ka luajtur rol të veçantë në zhvillimin e arsimit dhe edukimit islam në këto treva. Nëse i kthehemi sodit, do te shohim se pos Medresesë së Isa Beut, asnjë medrese tjetër nuk ka mbijetuar. Për fat të mirë Medreseja Isa Beu ende luan rolin kryesor për edukimin Islam në vendin tonë. Hapja e paraleleve të reja të kësaj shkolle nëpër qytetet tjera dhe arsimimi masiv i vajzave në këtë medrese në vitet e fundit, janë vlerë shtesë e kësaj vatre arsimore me histori disa shekullore. Hapja e Fakultetit të Shkencave Islame, akreditimi i tij dhe hapja e studimeve master në kohën e fundit, janë shenja pozitive për zhvillimin e edukimit dhe arsimimit islamik në vendin tonë. Inkuadrimi i lëndëve fetare –edhe pse me mangësi- nëpër shkollat publike fuqizojnë hapat dhe aktivitetet për harmoni dhe paqe ndërkulturore dhe ndërfetare të shoqërisë sonë.
KOHA: Shteti i ndershëm bëhet nga politika e ndershme; politika e ndershme, bëhet nga shoqëria e ndershme; ndërkaq, shoqëria e ndershme krijohet nga veprat e personaliteteve të ndershëm. Si është politika si vepër?
ALI: Intelektuali dhe teologu amerikan James F. Clarke, kur bën dallimin mes politikanit të rëndomtë dhe burrështetasit thotë: Një politikan gjithnjë mendon zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një burrështetas gjeneratat e ardhshme. Për fat të keq, pos përjashtimeve të vogla, jetojmë në një rajon ku politika në vend që të jetë mjet efikas për transformimin e shoqërisë në një model më të avancuar qoftë në aspektin material apo ai shpirtëror, jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur. Në këtë realitet të hidhur, politikanët mendojnë më shumë xhepin e tyre personal sesa xhepin e qytetarit të rëndomtë, merren më shumë me investime afatshkurtra që shërbejnë për zgjedhjet e rradhës sesa me investime afatgjata që mund të ndryshojnë ecurinë e shoqërisë në tërësi. Pra, duke pasur parasysh faktin se një ndër mjetet më efikase për transformimin e një shoqërie është edhe politika mendoj se kemi nevojë për politikanë burrështetas të përgatitur sipas nevojave të epokës post-moderne, me strategji të qarta dhe të vendosur për të punuar për të mirën e të gjithëve.
KOHA: Dhe çfarë s’do jepnim për t’u kthyer në vatrat tona. Sa peshë ka vendlindja dhe familja, për Ju?
ALI: Nëse analizojmë gjuhën arabe do të vërejmë se për fjalën vatër apo vendbanim pos tjerash përdorët edhe fjala seken fjalë kjo që ka edhe kuptimin e qetësisë shpirtërore dhe rehatisë. S’do mend se vendlindja dhe familja janë determinantët kryesorë që ndikojnë në qetësinë shpirtërore të një njeriu. Megjithatë, nuk duhet harruar se jetojmë në epokën e globalizmit, ku mundësitë dhe sfidat e jetës së një individi global nuk mund të përkufizohen me kufijtë tradicional. Pra, “brain draini” është një dukuri e përhapur jo vetëm në rajonin tonë por edhe në shtetet dhe shoqëritë më të zhvilluara të globit. Shpresoj se një ditë do të kemi kushte adekuate edhe në vendlindjen tonë për të bërë transformimin eksperiencave të ndryshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara