Emin AZEMI
Atentati ndaj njërit prej liderëve të serbeve lokalë në Mitrovicën e veriut, Oliver Ivanoviq, mund të jetë një ngjarje me rrezatim pak më të gjerë dhe të gjithë ata që mendojnë se kjo vrasje ka të bëjë vetëm me Kosovën dhe Serbinë, gabohen. Serbët historikisht janë dëshmuar mjeshtër të krijimit të situatave spektakolare që kanë ndikuar shumë në rrjedhën e ngjarjeve e rrethanave me epilog shumë dramatik. Kujtojmë atentatin në Sarajevë ndaj trashëguesit të fronit austrohungarez, Franc Ferdinandit (28 qershor të vitit 191), që ishte prelud i Luftës së Parë Botërore, që pasoi me sulmin e Austrohungarisë ndaj Serbisë. Edhe sot madje atentati i Sarajevës perceptohet me dioptri të ndryshme nga nxënësit e Bosnjës. Për boshnjakët dhe kroatët Gavrilo Principi ishte një atentator politik i Beogradit. Për serbët e Bosnjës, ky atentat ishte vetëm pretekst për Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë të kryejnë agresion ushtarak ndaj Serbisë.
Tani, çfarë lidhjeje mund të ketë vrasja e Oliver Ivanoviqit me situatën në Bosnjë e Hercegovinë? Nëse jo drejtpërdrejt, kjo vrasje krijon shumë paradigma të tërthorta që ndërlidhin ngjarjet e alibitë, por hedh dritë edhe mbi mundësinë e përdorjes së Kosovës nga ana e Beogradit si pretekst për një ridefinim të ri ballkanik. Nëse Ivanoviqi ishte sinonimi i një mendësie rebele serbe që ishte kundër ndarjes së Kosovës, kjo i ka mjaftuar Beogradit për ta asgjësuar këtë sinonim, sepse ndryshe nuk do të kishte kurrfarë atuje të arsyetonte deklarimet sparatiste të politikanëve në Banja Llukë për shkëputjen e Republika Sërpskës nga BeH dhe bashkëngjiten me Serbinë.
Stabilizimi i Kosovës, që nënkupton edhe integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, nga koniukturat e Beogradit është shikuar me sy jo të mirë. Të gjithë ata që autorësinë e kësaj vrasjeje e kërkojnë jashtë Kosovës, në fakt bëjnë një lexim nën rreshta të mesazhit që përcjell ky atentat. Të temposh këtë vrasje vetëm pak ditë para fillimit me punë të Gjykatës Speciale, kur Prishtina e hutuar po merret më shumë me vetveten se sa më problemet reale që po e rrezikojnë të ardhmen e Kosovës, është një linjë e mprehtë veprimi të cilën Beogradi e ka aktivizuar gjithmonë kur ka dashur të poentojë dy e më shumë efekte.
Në radhë të parë, Beogradi e ka shumë të qartë se Prishtina nuk do të mundet ta zbulojë vrasësin e vërtetë të Ivanoviqit dhe kjo do të mjaftojë ta shpallë Kosovën të paaftë për të administruar situata kaotike të cilat i krijon vetë Serbia. Kjo e fundit, pa e ftuar askush, pastaj ofrohet si shpëtimtare dhe te aparatçikët e Brukselit kjo mund të krijojë përshtypje të mire, sepse ata ngazëllehen me formën dhe jo me përmbajtjen e dramës ballkanike.
Involvimi i Serbisë në gjoja stabilizimin e situatës në veri të Kosovës, do t’ia hapte udhën asaj t’i fusë hundët edhe në Bosnjë e Hercegovinë, atje ku edhe e ka synimin kryesor. Karta e quajtur Oliver Ivanoviq do të përdoret nga Beogradi edhe si biletë për të hyrë sa herë të dojë në Kosovë, por edhe si “shengen” për të integruar tokat serbe nën një ombrellë.
Mjafton të eliminohen ata që janë kundër ndarjeve të Kosovës, gjithçka tjetër është e mundur.