Fatos RUSHITI
Shkup, 8 mars – Kur të gjithë ishin në pritje që presidenti Gjorge Ivanov të tërheq vendimin e tij në lidhje me mandatimin, sidomos pas qëndrimit të zyrtares së lartë të BE-së, Federika Mogherinit se duhet të veprojë me mençuri duke respektuar Kushtetutën, shefi i shtetit ka dramatizuar edhe më tej kundër Deklaratës së partive shqiptare, shkruan gazeta KOHA në numrin e sotëm. Ai të martën përmes një letre dërguar presidentit të SHBA-ve, Donald Tramp, presidentit të Komisionit Evropian Donadld Tusk, sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, ka kërkuar nga ata të ndikojnë që të refuzohet Platforma e partive politike shqiptare. Ivanov ankohet se, siç e quan ai, “Platforma e Tiranës” cenon sovranitetin dhe pavarësinë, si dhe rrit tensionet ndëretnike në vend. Madje, ai fajëson kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ministrin e jashtëm Ditmir Bushati për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. “Pas zgjedhjeve, tre nga partitë parlamentare të shqiptarëve etnik në RM, me 18 nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend, nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrit të tij të Punëve të Jashtme në Tiranë krijuan platformë për shqiptarët në RM. Platforma e Tiranës u bë parakusht për formimin e Qeverisë në RM. Platforma është dokument paszgjedhor i miratuar në shtet tjetër në kabinet të burrështetasit të huaj dhe me ndërmjetësim të kryeministrit të një shteti të huaj. Me këtë platformë kanoset sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e çuar RM në pozitë të të nënshtruarit apo vartësisë ndaj një shteti tjetër”, thotë Ivanov në letrën drejtuar Tuskit, Stoltenbergut, Trampit dhe Erdoganit. “Realizimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutën e RM-së me të cilat do të kërcënohej karakteri unitar i shtetit. Platforma e rrezikon Marrëveshjen e Ohrit, e cila i rregullon marrëdhëniet e bashkësive etnike me shtetin Republikën e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, platforma është diskriminuese ndaj bashkësive të tjera etnike, sepse për të prioritare është vetëm një bashkësi. Kjo platformë nga Tirana plotësisht e destabilizon gjendjen e brendshme politike dhe i rritë tensionet ndëretnike në RM”, thotë Ivanov. Me mënyrën me të cilën është miratuar dhe me deklaratat e përfaqësuesve zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, negativisht reflektohen në marrëdhëniet ndëretnike dhe bëhet destabilizim i rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thotë thotë mes tjerash presidenti Ivanov në letrën drejtuar Tuskit, Stoltenbergut, Trampit dhe Erdoganit.
ARSYETIM PARA NDËRKOMBËTARËVE PËR MOSDHËNIEN E MANDATIT
Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë përmes sekretarit të përgjithshëm Oliver Spasovski, ka pyetur presidentin Gjorge Ivanov se pse nuk dërgoi letër deri te faktori ndërkombëtar kur ia dha mandatin Gruevskit dhe kur bisedonte për Platformën shqiptare. “Kemi ndërmarrë gjithçka që është e mundur që të qetësohen tensionet, që të mos shkaktojmë keqësim të situatës nga ku vazhdimisht thërrasim për qetësi. Kjo është porosia më e shpeshtë e jona ndaj atyre që po krijojnë kriza. LSDM bën çmos që të mos arrijmë deri te eskalimi i situatës”, tha Spasovski. Ai në emër të shumicës së re parlamentare bëri thirrje deri te presidenti i shtetit që t’ia jep Zoran Zaevit mandatin për formim të Qeverisë, me qëllim që të zhbllokohen institucionet dhe proceset në shtet.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta, thotë se Ivanovi me letrën që ua ka dërguar liderëve botëror, do të arsyetojë mosdhënien e mandatit. Sipas tij, nëse Platforma shqiptare shkelë Kushtetutën, Ivanov për këtë është dashur të pyes partitë shqiptare dhe ato i kanë përgjigjet e duhura. Bejta shton se Platforma shqiptare jo vetëm që nuk shkelë asnjë normë kushtetuese, por ajo zbaton norma kushtetuese dhe realizon ato që janë shkruar në Marrëveshjen e Ohrit. “Ivanov me aktin e fundit vetëm se do të arsyetojë veten para ndërkombëtarëve për mosdhënien e mandatit. Presidenti duhet të kërkojë përgjigje nga partitë shqiptare që kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët dhe me siguri se ato do t’i përgjigjen në mënyrën e duhur. Platforma shqiptare vetëm se i zbaton normat kushtetues e assesi nuk i shkelë ato. Nga ana tjetër, kjo Platformë mbyll ato çështje, siç është gjuha shqipe, e që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Ivanov duke mos ia dhënë mandatin personit që ka siguruar nënshkrimet e kërkuara nga vetë ai si president, ka bërë shkelje të rëndë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, thekson Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së. Se çfarë hapash duhet të ndërmerren më tutje për të dalë nga ngërçi politik, Bejta thekson se shumë shpejtë partia e tij do të dalë më qëndrim në koordinim me partitë tjera, ndërsa personalisht mendon se deputetët si të te zgjedhurit e popullit, kanë mandat të vendosin për çështje të mëdha, siç është ajo për ndarjen e pushtetit të ri. “Me siguri se nuk do të pritet gjatë Ivanov në lidhje me mandatin. Se çka më tutje, BDI do të marr qëndrim shumë shpejtë, natyrisht në koordinim më partitë tjera politike, duke i qëndruar besnik Platformës shqiptare. Personalisht mendoj se deputetët duhet të vendosin për ardhmërinë vendit. Ata kanë mandate nga populli që të vendosin për pushtetin e ri, siç kanë mandat edhe për çështje tjera të rëndësishme”, thekson për KOHA, Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së.
PRESIDENTI DUHET TË TURPËROHET
Ndërkaq, kryetari i LR-PDSH-së, Zijadi Sela, përveç se thotë që Presidenti është vegël e disa personave në VMRO, ai shton se përgjigjet nga letra që u ka dërguar liderëve botëror duhet t’i kërkojë brenda në Maqedoni. Sipas Selës, Presidenti duhet të mbledhë mendjen dhe të mos kërkojë përgjigje nga ata që moti kanë flakur, siç thotë ai, diskriminimin dhe shtypjen ndaj tjetrit. “Fatkeqësisht, Presidenti i vendit është bërë vegël e disa personave në VMRO, duke vepruar për çdo gjë me diktat të tyre. Ai përgjigjet për letrën e tij mos të pres se do t’ia japin liderët e huaj, sepse ato përgjigje presidenti i ka brenda. Presidenti duhet t’i vijë turp që të bëjë kërkesa të tilla ndaj faktorit ndërkombëtar kur bëhet fjalë për të avancim të të drejtave elementare, siç është gjuha e një populli . Për mua është absurde të kërkojë nga BE dhe NATO të mos përkrahin avancimin e gjuhës shqipe, duke e llogaritur atë si prishje të stabilitetit të shtetit. Presidenti duhet të mbledh mendjen dhe të mos kërkojë përgjigje nga ato shtete që dinë çka janë të drejtat e njeriut, si respektohen ato, vende që e kanë flakur diskriminimin dhe shtypjen ndaj tjetrit dhe eksploatimin ndaj një populli të tërë. Presidenti përgjigjet i ka brenda, nuk duhet t’i kërkojë jashtë”, theksoi për KOHA, Zijadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së. Duke komentuar situatën e tanishme dhe hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndërmerren, Sela thekson se Parlamenti duhet të mblidhet shpejtë dhe t’i kërkojë dhe njëherë Presidentit dhënien e mandatit, duke konfirmuar njëkohësish edhe shumicën parlamentare përmes zgjedhjes së kryetarit. “Zgjidhja më e mirë do të ishte që Parlamenti si organi i vetëm ku duhet të gjejë zgjidhje çdo krizë në vend, të mblidhet dhe të dënojë këtë akt të Presidentit. Parlamenti duhet t’ia bëjë më dije Presidentit se ai nuk ka kompetenca të komentojë platformë politike, se ai është i obliguar me Kushtetutë t’i jap mandatin atij që ka siguruar shumicën parlamentare. Kjo të bëhet së pari duke u zgjedhur kryetarin e parlamentit dhe njëkohësisht t’i kërkohet edhe njëherë presidentit ta jap mandatin. Nëse ai prapë nuk vepron, Parlamenti në pajtim me ligjet në fuqi duhet të veprojë vetë duke zgjedhur qeverinë e re”, vlerëson kryetari i LR-PDSH-së, Zijadin Sela. Nga Lëvizja BESA thonë se Ivanov duke iu referuar Deklaratës shqiptare në letrën që ua dërgoi personaliteteve botërore dëshmon se bën pjesë te njerëzit që nuk kanë asnjë fije të vetëdijes shtetërore dhe për hesap të tyre duan të rrënojnë shtetin. “Letra që z. Ivanov ua ka dërguar disa personaliteteve të rëndësishme botërore, kur ai përsëri i referohet Deklaratës së partive shqiptare në Maqedoni, edhe një herë dëshmon se këta njerëz nuk kanë asnjë fije të vetëdijes shtetërore dhe se ata, për hesape të tyre, janë në gjendje edhe ta rrënojnë shtetin. Në të vërtetë, ai është i detyruar me Kushtetutë që ta japë mandatin, sepse tashmë ekziston shumicë e re në Kuvendin e Maqedonisë”, thotë për KOHA, Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Sipas tij, Deklarata shqiptare është produkt i partive shqiptare dhe nuk e rrënon rendin kushtetues. Siç thotë Murtezani, Presidenti duke përmendur Deklaratën shqiptare ndërton alibi që të vazhdojë kjo situatë. “Nga ana tjetër, ritheksojmë se Deklarata është produkt i partive shqiptare në Maqedoni dhe me asgjë nuk e rrënon rendin kushtetues të Maqedonisë, andaj arsyeja që ai e përmend duket ashiqare që atij i shërben vetëm si alibi që ta mbajë këtë situatë. E vërteta është se nuk është detyrë e tij të përcaktojë se a po rrezikohet rendi kushtetues (kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese) dhe se ai kështu vetëm është duke abuzuar me pozitën në të cilën gjendet sot”, thekson Murtezani. Ai më tej thekson se Maqedonia ka mjeshtër për të ndërlikuar gjërat dhe pak ka njerëz që prodhojnë zgjidhje. “Të gjendur në këtë situatë, ne mendojmë se, për fajin e këtyre politikanëve të papërgjegjshëm, vendi po rrëshqet drejt një kolapsi institucional, ngase tash nuk kemi as pushtet ekzekutiv, as legjislativ, por as edhe pushtet lokal. E keqja e Maqedonisë është se ka mjeshtër për t’i ndërlikuar dhe ngatërruar gjërat, ndërsa ka pak të tillë që dinë dhe mund të prodhojnë zgjidhje”, thotë Murtezani.