Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov prej sot e deri të enjten do të qëndrojë për vizitë pune në Mbretërinë e Marokos, ku do të marrë pjesë në Samitin për ndryshime klimatike COP 22 në Marakesh.
Ivanov, siç theksoi kabineti i tij, në Samit do të flasë në segmentin e nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë 56 shefa të shteteve dhe qeverive nga e tërë bota.
Në prag të Samitit për ndryshimet klimatike në Mbretërinë e Marokos, Ivanov mbajti takim koordinues me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe kryesuesin me Këshillin nacional për zhvillim të qëndrueshëm, me Koordinuesit nacional për ndryshime klimatike dhe për zhvillim të qëndrueshëm të Maqedonisë, si dhe me përfaqësues nga Minsitria e Punëve të Jashtme.
Maqedonia në prill të këtij viti në Nju-Jork e nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për ndryshime klimatike, që u miratua në vitin 2015 në Samitin për ndryshime klimatike SOP21 në Paris, ku mori pjesë Ivanov.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit, Maqedonia, siç ceket në kumtesë, e riafirmoi përkushtimin e vet në kyçjen drejt përpjekjeve botërore për zbutjen e pasojave nga ndryshimet klimatike, përmes ndërmarrjes së hapave konkret, masave dhe aktiviteteve dhe përmbushjes së dispozitave të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike. Marrëveshja e Parisit është marrëveshja e parë universale dhe juridiko-obligative që duhet të hyjë në fuqi në vitin 2020, dhe e njejta deri më tani është nënshkruar nga 192 shtete dhe nga Bashkimi Evropian.
Në vitin 2009 presidenti i Maqedonisë mori pjesë në Smaitin për ndryshime klimatike në Kopenhagë të Danimarkës. Marrëveshja e arritur në Kopenhagë paraqiste themel të paktit të ri për ulojen e ngrohjes globale, që e pasoi Protokollin e Kjotos, rëndësia e të cilit skasoi në vitin 2012. Maqedonia në vitin 1997 e ratifikoi Konventën kornizë të OKB-së për ndryshimet klimatike dhe ishte pjesë e Protokollit të Kjotos.