Ivanovi e quan shkelje të kushtetutës shpalljen e Ligjit për Gjuhët në Maqedoni

0

Shkup, 15 janar – Shpallja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Gazetën Zyrtare pa nënshkrim dhe dekret të Presidentit të Republikës së Maqedonisë janë antikushtetues, thotë në deklaratën me shkrim dërguar mediave presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, informon Koha.

“Mbrëmë vonë patëm mundësi ta shohim fytyrën e vërtetë të koalicionit qeveritar të LSDM-së dhe BDI-së të cilët  veten e konsiderojnë për proevropianë”, thotë Ivanov.

Me dorëzimin e këtyre dy ligjeve në Gazetën zyrtare, siç thekson Ivanov, është shkelur neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, derisa shpallja e ligjeve është bërë në mënyrë të paligjshme dhe paraqet bazë për ndjekje penale.

Sipas tij ky është momenti që do të tregojë nëse në Republikën e Maqedonisë ekziston Gjykatë Kushtetuese, nëse fuksionin prokuroria, nëse ka gjyqësi të pavarur dhe nëse ekziston sundimi i së drejtës.

“Pyetem, nëse përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e mbështesin këtë koalicion qeveritar, do të lajmërohen dhe do ta mbështesin këtë mënyrë të miratimit të ligjeve? A do t’i mbështesin këto precedanë, që sjellin pasoja të paparashikuara dhe dëm për të drejtën dhe shtetin juridik dhe nëse precedanë të këtillë zbatojnë në shtetet e tyre”, nënvizon në deklaratën me shkrim presidenti Ivanov.

Comments are closed.