Në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë asnjëherë nuk është biseduar, e as nuk është menduar për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme apo të luftës, tha presidenti Gjorge Ivanov duke iu drejtuar qytetarëve, me qëllim, siç tha, t’i denoncojë të gjitha gënjeshtrat, konstruksionet dhe skenarët e zinj me të cilët u bombarduam gjatë periudhës së kaluar.
“Prej fillimit të funksionit tim, me përgjegjësi e prezantoj shtetin dhe jam i bindur se vetëm me qasje të ndershme dhe transparente do të mund t’u kundërvihemi gënjeshtrave për gjoja përzierje të Kabinetit tim, të ARM-së dhe Agjencisë për zbulim rreth ngjarjeve të 27 prillit. Në Kabinetin e Presidentit të RM-së asnjëherë nuk është biseduar dhe as nuk është menduar për shpallje të gjendjes së luftës apo të jashtëzakonshme. Me këtë i hedh poshtë edhe të gjitha spekulimet se komuniteti ndërkombëtar ka kryer çfarëdo lloj presioni ndaj meje që të heqë dorë nga ndonjë plan për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme apo të luftës”, tha Ivanov.
U bëri thirrje përfaqësuesve të huaj të dalin dhe t’i cekin ata ata të cilët i kanë bërë presion.
“Skenar për gjendje ushtarake dhe të jashtëzakonshme nuk ka pasur, përveç nëse në RM nuk ka funksionuar një komandant suprem paralel i forcave të armatosura dhe Shtatmadhori paralele e ARM-së”, theksoi Ivanov.
Pyetja e vërtetë, sipas tij, është, në dobi të kujt në ato momente ka qenë ta keqpërdorë Kabinetin e presidentit të RM-së dhe të krijojë perceptim të rrejshëm për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme apo të luftës.