Shkup, 24 shtator – Nga ne varet se a do ta ruajmë vendimin nga referendumi i parë për Republikën e Maqedonisë në të cilin do të jemi zot të vetes në vendin tonë ose juridikisht do të shuhemi si popull dhe do të lejojmë dikush tjetër të na e interpretojë të kaluarën dhe të na e marrë të ardhmen, tha presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, gjatë vizitës në bashkësinë maqedonase në Nju-Xhersi.
Ai, siç kumtoi kabineti i tij, vlerëson se përgjegjësinë përfundimtare e kanë qytetarët e Maqedonisë, sepse, siç thotë, “çfarë Maqedonie do të ndërtojmë, ashtu do ta kemi”.
“Nga ne varet se a do ta ruajmë vendimin nga referendumi i parë për Republikën e Maqedonisë, në të cilin do të jemi zot të vetes në vendin tonë, në të cilin nuk do të përmbahemi që të themi se jemi maqedonas, se të parët tanë ishin maqedonas. Ose, do të vendoset që të shfuqizohet vendimi nga referendumi paraprak i 8 shtatorit të vitit 1991. A do të shuhemi juridikisht si popull dhe do të lejojmë që dikush të na e interpretojë të kaluarën dhe të na e marrë të ardhmen”, tha presidenti Ivanov, i cili në Sider Grou, Nju-Xhersi, e vizitoi Kishën ortodokse maqedonase “Shën Cirili dhe Metodi”.
Presidenti Ivanov prej sot në Nju-Jork e fillon pjesëmarrjen në Asamblenë e 73-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Është paraparë që Ivanov të ketë fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së më 27 shtator.