Shkup, 11 prill – Përmes internetit dhe teknologjive të reja, dituria nga e mbarë bota është e kapshme për ne. Na nevojitet arsimim që do të krijojë njerëz për mijëvjeçarin e tretë, tha sot pasdite presidenti Gjorge Ivanov në hapjen e Samitit të 21-të euroaziatik ekonomik që po mbahet në Stamboll.
Në fjalim, Ivanov potencoi se në Samit do të bëhet fjalë për ndikimin e transformimit digjital ndaj politikës, shteteve, ekonomisë, energjetikës.
“Temë e samitit të sivjetmë është ‘Dilema e shekullit tonë: Teknologjia përkundër politikës’. Do tpë diskutojmë për tërë atë që i pret shtetet dhe shoqëritë tona, e ajo është ndikimi i transformimit digjital ndaj politikës, shteteve, ekonomisë, energjetikës. Do të flasim për rikrijimin e qyteteve nga të modës së vjetër në qytete të mençura”, nënvizoi shefi i shtetit.
Në hapjen e Samitit, kryeministri i Turqisë, Binali Jilldirim i ndau çmim Ivanovit për pjesëmarrjen e tij 10-vjeçare në Samitin euroaziatik ekonomik.
Ivanov dhe Jilldirim patën edhe takim në të cilin këmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale dhe për gjendjet e përgjithshme në të dy vendet dhe në rajon. Konstatuan se Maqedonia dhe Turqia kultivojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore. Njëherit u dakorduan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe intensifikimin e këmbimit tregtar.
Ivanov në suaza të Samitit do të realizojë takim me përfaqësues të Odës ekonomike të Maqedonisë dhe me biznesmenë turq, ku do të ketë fjalim së bashku me kryetarin e Lidhjes së odave ekonomike dhe bursës së Turqisë, Rifat Hisarxhikliogllu. Nesër do të flasë në sesionin presidencial të Samitit të 21-të euroaziatik ekonomik, ndërsa sot u takua me Patriarkun Bartolomej.