Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me ftesë të presidentit të Francës, Emanuel Makron sot në Paris mori pjesë në ceremoninë me rastin e shënimit të njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Siç kumtojnë nga Kabineti i presidentit, Ivanov dhe bashkëshortja e tij Maja Ivanova në mëngjes ishin pritur në Pallatin e Eliseut nga presidenti francez Makron dhe bashkëshortja e tij Brixhit Makron, pas çka së bashku me shefat e tjerë të pranishëm u nisën drejtë Portës Triumfale, ku u mbajt ceremonia qendrore me rastin e njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Në ceremoninë ku fjalim kishte presidenti i Republikës Franceze, Emanuel Makron morën pjesë mbi 80 shefa të shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, në mesin e të cilëve edhe presidenti amerikan Donald Tramp, kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, sekretari i përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, presidenti rus Vlladimir Putin, presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bullgarisë, Ilir Meta, Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Rumen Radev, kryeministri grek Aleksis Cipras, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, etj.
Presidenti i republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i shoqëruar nga bashkëshortja Maja Ivanova, dje mbrëma mori pjesë në darkën solemne, që për pjesëmarrësit e ceremonisë me rastin e shënimit të njëqindvjetorit nga fundi i Luftës së Parë Botërore, e organizoi presidenti i Republikës Franceze Emanuel Makron.
Sot pasdite, presidenti Ivanov do të marrë pjesë dhe do të ketë fjalim në Forumin Paqësor në Paris, që do të mbahet me iniciativë të presidentit francez. Në hapjen e forumit fjalim do të kenë Emanuel Makron, kancelarja Angela Merkel dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh.