Shkup, 29 dhjetor – Qëndrimi im është më se i qartë. Asnjëherë nuk do të dakordohem që Republika e Maqedonisë të jetë shtet binacional. Asnjëherë nuk do të dakordohem që Republika e Maqedonisë të jetë shtet federal, porositi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov në Fjalimin vjetor të mbajtur sot në kabinetin e tij. “Ende dëgjoj se si liderë të caktuar të partive publikisht licitojnë me karakterin unitar të shtetit, me njëfarë kantonizimi dhe federalizimi, me emrin e shtetit dhe identitetit të qytetarëve. Ata licitojnë me interesat shtetërore. Do t’i përkujtoj se Maqedonia në vitin 1991 u konstituua si shtet nacional i popullit maqedonas, në të cilin sigurohet barazi e plotë qytetare dhe bashkëjetesë e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Ivanov. Ai potencoi se me Marrëveshjen e Ohrit u hap dera për përfaqësim të barabartë të qytetarëve, nga të gjitha bashkësitë, e jo vetëm nga njëra. Është e palejueshme, konsideron Ivanov, disa liderë të partive parlamentare në tryezë negociuese t’i vendosin interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë, siç tha, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. “Në emër të qytetarëve maqedonas, i paralajmëroj të kenë kujdes çka bëjnë. Në emër të qytetarëve maqedonas, i porosis të mos mendojnë në kombinatorikat e tyre paszgjedhore të bisedojnë apo negociojnë për interesat shtetërore të Maqedonisë dhe interesat nacionale të popullit maqedonas. Meqenëse për interesat shtetërore as nuk bisedohet, as nuk negociohet”, potencoi Ivanov. Shtoi se askush nuk ka mandat ta ribëjë shtetin, ta ndryshojë identitetin e tij. Duke folur për periudhën zgjedhore dhe paszgjedhore, Ivanov edhe njëherë i uroi qytetarët, duke cekur se me shpërndarjen e votave të tyre, ata në të vërtetë i kanë detyruar partitë të zhvillojnë dialog në institucionet, por, jo me çmim të interesave shtetërore. “Qytetarët e kuptuan se për të dalë nga kriza nuk nevojitet mbivotim. por harmonizim, nuk nevojitet shantazhim, por pajtim”, tha Ivanov, duke shtuar se qytetarët me mjaft përgjegjësi e kanë plotësuar pjesën e vet të marrëveshjes të quajtur demokraci. Ivanov theksoi se me këtë fjalim e përmbushë obligimin e vet kushtetues të informojë për çështjet nga kompetencat e tij dhe se për fjalimin, do ta njoftojë me shkrim Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Fjalimi vjetor në vend se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, u zhvillua nga Kabineti i Ivanovit, sepse përbërja e re kuvendore ende nuk është konstituuar. Vendimin, theksoi presidenti i Maqedonisë, e solla në një situatë kur Republika e Maqedonisë tashmë kishte shpallur gjendje krize, për shkak të krizës së emigrantëve dhe refugjatëve, por edhe në moment kur, sipas presidentit Ivanov, Prokuroria Speciale Publike u bë selektive dhe e polarizuar dhe e cila në vend të instrumentit të drejtësisë, u bë instrument për shantazh të kundërshtarëve politikë. Shtoi se një ditë kur do të deklasifikohen të gjitha dokumentet, qytetarët do të kenë kontroll të tërësishëm në gjendjen për të cilën e ka marrë atë vendim. “Por, do të them vetëm se në gjendje në të cilën u soll në pikëpyetje ardhmëria e shtetit, falja ishte mënyra e vetme e qetë të ngrihen qëllimet armiqësore mes palëve kundërshtuese dhe të evitohet anarkia”, tha presidenti Ivanov. Për këtë vendim timin, shtoi presidenti Ivanov pata shumë kritika dhe akuza. Megjithatë, mënyra e tillë e zgjidhjes së krizës politike nuk u pranua nga një pjesë e opinionit dhe sa u krijuan kushte ligjore për atë, i tërhoqa faljet e dhëna. Pa regjistrim të ri të popullsisë, nuk mund të kërkohen të drejta që varen nga statistika. Pres që Qeveria e re sa më shpejtë të zbatojë regjistrim që të shohim sa jemi, të shohim nëse realiteti në terren përputhet me pohimet e disa politikanëve, tha presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov në fjalimin vjetor. “Dëgjoj se kërkohet dygjuhësi në tërë territorin e Maqedonisë. Kjo çështje është e mbyllur me amendamentin 5 të Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë, e cila doli nga Marrëveshja e Ohrit, ku rregullohet çështja për gjuhën zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Përdorimi zyrtar i cilës do gjuhë në Republikën e Maqedonisë varet nga statistika, ndërsa mënyra e vetme për fitimin statistikës reale është regjistrimi”, theksoi presidenti Ivanov Sipas tij, e papërgjegjshme është të kërkohen të drejta pa u ndërmarrë obligime. Regjistrimi i fundit në Maqedoni, theksoi Ivanov, ishte para plot 14 vjetëve, duke vlerësuar se kjo është periudhë tejet e gjatë për cilindo shtet. Mbrojtja e interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë që nënkupton ruajtjen dhe përforcimin e karakterit unitar të shtetit dhe reforma sistemore e sistemit për siguri kombëtare duhet të jenë dy prioritetet kyçe të Qeverisë së re, tha presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në fjalimin e tij vjetor. “Këto prioritete janë të domosdoshme, para se gjithash, për shkak të kërcënimeve të shumta me të cilat ballafaqohemi dhe dobësitë e brendshme të cilat i kemi. Pasojat nga konfliktet në rajonin e Afrikës Veriore dhe Lindës së Afërt, migrimi ilegal, aktivitetet e luftëtarëve të huaj terrorist dhe mbështetësit e tyre, rrjetet kriminele transnacionale, ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe interesat e qendrave të ndryshme të fuqisë ndaj polarizimit të shoqërisë së Maqedonisë”, tha Ivanov. Sipas shefit të shtetit, shërbimi për zbulim, Armata e Republikës së Maqedonisë, policia kufitare, shërbimet për zbatimin e ligjeve dhe Prokuroria duhet të transformohen që ta mbrojnë sigurinë kombëtare të shteti, në pajtim me ndryshimet e sfidave dhe kërcënimeve me të cilat ballafaqohemi. I bëj thirrje lidershipit të të dy partive më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM të gjejnë forca për të falur njëra-tjetrën, të pajtohen dhe përfundimisht të bashkohen rreth interesave nacionale të popullit maqedonas dhe interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë, porositi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov në fjalimin vjetor në Vilën Vodno, duke vlerësuar se nuk ka asgjë më tragjike dhe më të rrezikshme se konflikti ndërmaqedonas. “Nëse me të vërtetë e duan këtë shtet dhe nëse me të vërtetë kujdesen për popullin maqedonas, u bëj thirrje ta respektojnë vullnetin e qytetarëve, sepse në në urrejtje askush nuk ka ardhmëri, as shpresë”, tha ivanov. Ai bëri thirrje që t’i lënë prapa ndarjet dhe revanshizmin dhe retorikën e patriotëve dhe trathtarëve. “Të ndërprejnë edhe sulmet ndaj përfaqësuesve diplomatik. Disa liderë të caktuar politik të ndërprerjnë së thiruri dhe keqpërdoruri emrat e ambasadorëve në Republikën e Maqedonisë për të realizuar qëllime të veta. Njëkohësisht, e përsëris edhe thirrjen përfaqësuesit diplomatik në kryerjen e kompetencave të tyre të kenë kujdes të mos kuptohen gabimisht dhe t’u përmbahen Konventave të Venecies”, tha Ivanov. Ta bëjmë hapin e pajtimit është përgjegjësi e domosdoshme, porositi Ivanov. “Përgjegjësia është themel i besimit ndërmjet njerëzve dhe institucioneve, sepse secili i cili sjellë vendime duhet të ndërmarrë përgjegjësi personale për hapat e vet”, tha ivanov, duke shtuar se vetëm përgjegjësia krijon kushte për siguri, stabilitet dhe përparim. “Kur institucionet anashkalohen, bllokohen dhe paralizohen, në vend që të jenë pjesë e zgjidhjes, ato bëhen pjesë e problemit. Shpresoj se liderët përfundimisht e mësuan mësimin – se nuk duhet të kërkohen zgjidhje jashtë institucioneve të shtetit. Për këtë arsye, bëj thirrje, për të satën herë, t’ua kthejmë fuqinë institucioneve”, potencoi Ivanov. Në atë drejtim, ivanov u bëri thirrje edhe partive të tregojnë përgjegjësi dhe, siç tha, ta ripërtërijnë betimin për një Maqedoni evropiane dhe euroatlantike.