Partitë duhet ta kërkojnë zgjidhjen përmes sjelljes së përgjegjshme, ndërsa në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Asnjë zgjidhje nuk guxon ta minojë karakterin unitar të shtetit dhe duhet të jetë në drejtim të mbrojtjes së interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë. Nënkuptohet, zgjidhje e mundshme për tejkalimin e situatës janë edhe zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare në të cilat qytetarët do të prononcohen edhe për temat të cilat u imponuan në periudhën postzgjedhore, thotë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në një intervistë për gazetat më prestigjioze hungareze “Magyar Hirlap”.
“Lideri i partisë së dytë sipas numrit të mandateve të fituara LSDM në vend se në afat prej 10 ditësh, më njoftoi pas 27 ditësh se ka siguruar shumicë në Kuvend me mbështetjen e të gjitha partive të shqiptarëve. Prej tij kërkova publikisht dhe qartë që ta hedh poshtë dhe ta dënojë këtë platformë. E përkujtova se qytetarët maqedonas në zgjedhje votuan për reforma, dhe jo për platformë post-zgjedhore të një shteti të huaj. Ky dënim publik, për fat të keq ngeli mbrapa. Që këtu, si president i Republikës së Maqedonisë porosita se nuk do të përcaktoj mandat për secilin që do të negociojë për platforma të shteteve të tjera me të cilat kushtëzohet populli maqedonas, rrezikohet uniteti i shtetit, sovraniteti dhe pavarësia e saj”, thotë Ivanov në intervistën për çështjen për dalje të mundshme prej krizës politike në Maqedoni. I pyetur se si i vlerëson kanosjet prej insistimeve shqiptare në Maqedoni, Ivanov deklaroi se një pjesë e kërkesave të partive të bllokut politik shqiptar janë në përplasje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe se nuk përkojnë me gjendjen reale në shtet.
“Një pjesë e kërkesave që i përmban kjo platformë varen prej statistikave dhe realitetit në terren, ndërsa në Republikën e Maqedonisë 14 vjet nuk është zbatuar regjistrim i popullsisë. Pa regjistrim të ri, nuk mund të kërkohen të drejtat të cilat varen prej statistikës”, thotë Ivanov në intervistë. Ai thekson se shkaku kryesor për thellimin e krizës është Platforma e Tiranës, e cila u bë kusht për formimin e qeverisë dhe shton, “si President nuk mundem dhe nuk do të lejoj tregtim me Kushtetutën dhe interesat shtetërore të Maqedonisë dhe luajtjen me ndjenjat e qytetarëve të Maqedonisë.
Ivanov në intervistë iu falënderua ministrit hungarez të Punëve të Jashtme, Peter Siarto, i cili midis të parëve ngriti nismë me kërkesë deri tek Këshilli i BE-së për ta hedhur poshtë Platformën e Tiranës dhe të dënohet përzierja e një kryeministri të huaj në punët e brendshme të Maqedonisë. Duke e pas parasysh strukturën multietnike të shteteve të Rajonit ballkanik dhe ngjarjeve nga e kaluara e afërt, Ivanov porositi se është e nevojshme që liderët politik të kenë kujdes në retorikë.
“Republika e Maqedonisë gjithmonë ka investuar në përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Shqipëria dhe Kosova janë miqtë tanë dhe prandaj janë të nevojshme hapa konkrete dhe të përbashkëta në përparimin e besimit të ndërsjellë”, thotë Ivanov, duke shtuar se në Republikën e Maqedonisë edhe më tej ka pasur tentime për nxitjen e tensioneve ndëretnike, por qytetarët dinë të dallojnë çka është manipulim e çka është interes i tyre. Ivanov në intervistën për “Magyar Hirlap” foli edhe për rolin e Maqedonisë në përballjen me krizën migruese, si dhe për sfidat e ardhshme me të cilat përballet shteti në prag të paralajmërimeve për fluksin e dytë migrues.
“Ne jemi përballur me paradoks, Maqedonia e cila nuk është anëtare e BE-së e ruan Evropën nga Bashkimi Evropian. Republika e Maqedonisë është në Evropë, por nuk është anëtare e BE-së. Nuk jemi anëtare as e NATO-s, as e Zonës Shengen, por megjithatë e mbrojmë Evropën nga anëtarja e BE-së, e cila nuk arrin ta kontrollojë krizën e refugjatëve, por thjeshtë i ka riorientuar refugjatët”, thotë Ivanov në intervistë. Ai shton se kriza e migrantëve i shton rreziqet e sigurisë dhe i rrezikon marrëdhëniet e mira fqinjësore. “Nuk guxon të lejohet lëvizje e lirë e migrantëve dhe kontakt me popullatën vendore në rajonet ku ka prani të radikalizmit fetar dhe të kthyerit nga rajonet e luftës”, thotë presidenti i Republikës së Maqedonisë në intervistën për gazetën hungareze.
Ivanov thotë se në kushte të krizës së thellë brenda partiake, me krizën migruese dhe të refugjatëve përballemi me më shumë sukses nga shumë shtete evropiane të cilat janë befasuar dhe nuk janë përballur mirë. Presidenti Ivanov sot po qëndron për vizitë pune në Hungari, kur në Budapest do të realizojë takime me kolegun e tij hungarez Janosh Ader, me kryeministrin Viktor Orban dhe me kryetarin e Parlamentit Lasko Kover.