Ivanov: Kriza e emigrantëve tregoi se BE-ja nuk është Evropë pa Ballkanin e integruar

Shkup, 2 nëntor  – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në fjalimin në Institutin mbretëror për marrëdhënie ndërkombëtare “Çatan haus” në Londër, porositi se Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë të re të marrjes së vendimeve gjatë krizës dhe potencoi se vendet evropiane duhet të kenë ndërgjegjësim më të madh për kërcënimet e përbashkëta të sigurisë.

“Ballkani, për fat të keq mbetet jashtë BE-së. Kjo përvojë me krizën e  emigrantëve është një mësim deri te burokracia evropiane të kuptojë se BE-ja ende nuk është Evropë dhe nuk mund të flasë në emër të Evropës. Ballkani ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe derisa Ballkani nuk hyn në BE, BE-ja do të përballet me këtë që ne e kemi tani. Mësuam se në BE shërbimet e sigurisë nuk kanë besim mes vete. Nuk i ndajnë informacionet dhe nuk ekziston ndërgjegjësim se ekziston kërcënim i përbashkët”, tha Ivanov në fjalimin në temën “Maqedonia, migrimet dhe siguria: leksione të mësuara”.

Terrorizmi, shtoi, nuk është ai i cili ka qenë në vitet e 60-ta, të 70-ta. Terrorizmi i shfrytëzon të gjitha teknologjitë e reja, rrjetet sociale, shfrytëzon madje lidhje të koduara satelitore dhe çdo herë është më përpara se cila do polici ose shërbim i zbulimit.

“Të lënë vetë, si shtet ne pamë se duhet t’i ndërmarrim gjërat në duart tona. Maqedonia në mënyrë më të suksesshme përballet me emigrantët. Aq sa ka mundur, iu ka ndihmuar të gjithëve. Shumë lehtë është të kritikosh nga pozita neutrale, pa pasur përgjegjësi për pasojat nga e gjithë kjo që ka ndodhur gjatë krizës së emigrantëve”, porositi presidenti i Republikës së Maqedonisë.

Duke folur për aspektin e sigurisë së krizës, Ivanov theksoi se edhe pse ruta ballkanike e emigrantëve është e mbyllur, migrimi i paligjshëm ende nuk është penguar dhe se rrjetet e trafikimit kriminal kanë rol të rëndësishëm në gjenerimin e kërcënimeve të sigurisë për Maqedoninë dhe Evropën.

Ivanov para të pranishmëve në “Çatam haus” e sqaroi planin me të cilin, siç tha, Maqedonia arrin ta rregullojë valën e emigrantëve me një hyrje dhe një dalje.

“U tregua se kriza nuk mund të zgjidhet vetëm me deklarime politike dhe procedura burokratike, por duhet të menaxhohet me ndihmë dhe mbështetje edhe nga ana e shërbimeve të sigurisë dhe strukturave të armatës”, theksoi presidenti i Maqedonisë.

Shtoi se këtë përvojë, më vonë e kanë pranuar edhe vendet e tjera nga Ruta ballkanike dhe armata ka qenë ajo e cila i ka ndihmuar policisë në kontrollin dhe rregullimin, me çka në pranverë të vitit 2016, Ruta ballkanike u mbyll.

Presidenti i Maqedonisë theksoi se migrimet nuk kanë përfunduar, sepse në afërsi të drejtpërdrejtë të kufijve të jashtme të Evropës gjinden midis 20 dhe 30 milionë emigrantë potencialë.

Konstatoi edhe se shteteve ballkanike iu është e nevojshme Bashkim Evropian, sepse njerëzit thjeshtë dëshirojnë siguri ligjore.

Në kuadër të vizitës së punës në Britani të Madhe, presidenti i Maqedonisë mbajti fjalim në Unionin prestigjioz të Oksfordit dhe realizoi takime me kryetarët e dy dhomave të parlamentit britanik.