Shkup, 17 shtator- Inkuadrimi në NATO dhe BE mbetet qëllimi strategjik dhe prioriteti më i lartë i Republikës së Maqedonisë, që do të kontribuojë për përparim dhe prosperitet të tërë rajonit, tha presidenti Gjorge Ivanov në takimin e sotëm me ministrin amerikan të Mbrojtjes, Xhejms Matis.
Ivanov, siç kumtoi kabineti i tij, shtoi se Republika e Maqedonisë mbetet partner strategjik stabil i SHBA-së dhe se edhe më tutje do të mundohet për sigurinë, lirinë dhe përparimin demokratik të rajonit dhe në mënyrë aktive do të kontribuojë në aktivitetet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të mbetura në nivel global.
Ivanov dhe Matis kanë këmbyer mendime për ngjarjet aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, për perspektivat euroatlantike të vendit dhe për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Presidenti Ivanov u falënderua për përkrahjen që SHBA-ja ia jep Republikës së Maqedonisë me qëllim të përparimit të reformave në mbrojtje dhe siguri, si nga aspekti financiar, ashtu edhe nga përkrahja praktike dhe teknike përmes pjesëmarrjes në trajnime, stërvitje dhe misionet e përbashkëta. Ai shprehu kënaqësi edhe nga bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Vermontit.
“Edhe pse nuk jemi në NATO, armata jonë është NATO kompaktbile dhe për atë i jemi falënderues SHBA-së. Ky është investim në të ardhmen. Duhet të jemi të gatshëm për kërcënimet dhe sfidat e reja”, porositi presidenti Ivanov në takim me sekretarin e mbrojtjes së SHBA-së.
Ai theksoi se ARM-ja me profesionalitetin e saj dhe gatishmërinë lartë luftarake është partner i dëshmuar i NATO-s dhe vazhdimisht kontribuon në misionet paqësore ndërkombëtare të Aleancës.
Intensifikimi dhe përparimi i marrëdhënieve të tërësishme bilaterale me SHBA-në, shtoi presidenti Ivanov, janë me interes afatgjatë për Republikën e Maqedonisë.
Të dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe për sfidat dhe pritjet për të ardhmen e rajonit të Evropës juglindore, thuhet në kumtesën e kabinetit të Ivanov.