Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe ministri turk i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushoglu në takimin e sotëm në Shkup kanë biseduar për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjen e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Turqisë. Të dy bashkëbiseduesit, siç kumtoi Kabineti i Ivanovit, kanë shprehur kënaqësi nga miqësia dhe partneriteti tradicional, si dhe nga komunikimi intensiv dhe bashkëpunimi në gjitha fushat me interes të përbashkët, të cilat janë konfirmim për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë.
Duke shprehur falemenderim për mbështetjen e fortë dhe parimore të Republikës së Maqedonisë lidhur me qëllimet tona strategjike, presidenti Ivanov ka theksuar se Republika e Maqedonisë lartë e vlerëson mbështetjen e Turqisë për përdorimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë dhe integrimin e vendit në NATO. Ministri Çavushoglu e ka riafirmuar mbështetjen që Republika e Turqisë ia jep në integrimet evropiane dhe euroatlantike Republikës së Maqedonisë, duke thënë se Republika e Turqisë do të jetë konsekuente në atë mbështetje të vazhduar.
Të dy bashkëbiseduesit e kanë përshendetur bashkëpunimin ekonomik, me pritje për intesifikim të mëtejshëm, si dhe bashkëpunimin e frytshëm në fushën e mbrojtjes. Sipas agjendës, ministri Çavushoglu do të pritet nga kryeministri Zoran Zaev, ndërsa do të ketë takim edhe me shefin e diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov.