Shkup, 16 nëntor – Republika e Maqedonisë është e gatshme për përforcim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të përbashkët, të cilat do të kontribuojnë për vizionin tonë të përbashkët për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal dhe për aktualitet të përbashkët dhe të ardhmen në familjen e madhe evropiane dhe euroatlantike, theksoi presidenti Gjorge Ivanov në takimin e sotëm me kryebashkiakun e Selanikut, Janis Butaris.
Duke shprehur kënaqësi nga mundësia për takim të sërishëm, presidenti Ivanov, siç kumtoi Kabineti i tij, vlerësoi se edhe krahas çështjes së hapur dypalëshe, bashkëpunimi mes shoqërisë së Maqedonisë dhe të Greqisë është në nivel të lakmueshëm dhe theksoi në nevojën e avancimit të tij të mëtutjeshëm.
Ivanov e ka përshëndetur edhe intensifikimin e dialogut dhe orvatjeve të dy vendeve për përshpejtim të procesit të implementimit të masave për ndërtimin e besimit dhe futjen e përmbajtjeve të reja në bashkëpunimin dypalësh.
Ivanov dhe Butaris, sipas kumtesës kanë biseduar edhe rreth mundësive për zhvillim të projektit Vardar-Moravë-Danub, që do të kontribuojë për hapje të mundësive të reja për ekonomitë, investimet e reja dhe vendet e punës.
Presidenti dhe kryebashkiaku kanë shkëmbyer opinione për gjendjet aktuale në planin ekonomik dhe politik në Republikën e Maqedonisë dhe në Republikën e Greqisë.