Asnjë politikan nuk ka mandatin që të bisedojë për identitetin e një populli. Shumica e qytetarëve maqedonas nuk kanë votuar për një program në të cilin është paraparë ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë me qëllim ndryshimin e emrit të shtetit. Kështu që as edhe pushteti aktual nuk ka marrë mandatin nga populli që të bëj ndryshimin e identitetit, të heq dorë nga diaspora, fshirje të historisë. Kështu ka thënë presidenti Gjorge Ivanov gjatë vizitës së tij në Kishën Ortodokse Maqedonase në Detroit, informon MEDIAL.
“Republika e Maqedonisë është e përhershme. Por me marrëveshjen me Greqinë dhe referendumin që do të mbahet me 30 shtator, ky fakt po relativizohet. Si të mos e kuptojmë se duke relativizuar një vend të përhershëm siç është Maqedonia, ne gjithashtu po relativizohemi edhe si popull. Përmes Marrëveshjes së Prespës po përpiqen të na poshtërojnë, ashtu siç asnjë komb nuk është poshtëruar ndonjëherë. Ata duan të na bëjnë të papranueshëm, duke besuar se ne nuk dimë se cilët jemi”, ka thënë presidenti Ivanov, duke përsëritur qëndrimin e tij se ai nuk do të votojë në referendumin më 30 shtator./Medial