Shkup, 26 dhjetor – Mënyra e vetme që Maqedonia të kthehet në normale është nëse sa më parë hyn në NATO dhe merr datë për fillim të negociatave inkuadruese me Bashkimin Evropian, porositi presidenti Gjorge Ivanov në Fjalimin vjetor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
“Presim që Bashkimi Evropian ta konfirmojë politikën e vet të dyerve të hapura. Republika e Maqedonisë me meritë pret në samitin e ardhshëm të marrë rekomandim të pakushtëzuar dhe fillim të negociatave për anëtarësim të barabartë. Me këtë hap Unioni de jure do të njohë pozitën e barabartë dhe të partneritetit të shtetit tonë drejt ndërtimit të një Evrope të bashkuar, të lirë dhe të qetë”, tha Ivanov.
Krahas integrimit evropian, siç theksoi Ivanov, Republika e Maqedonisë në vazhdimësi tregon se është partner i besueshëm strategjik i Aleancës së NATO-s.
“Vitin e ardhshëm, 2018-tën, do të bëhen dy përvjetorë lidhur me NATO-n: 25 vite nga vendimi unanim i Kuvendit nga 23 dhjetori i vitit 1993 për hyrjen e Republikës së Maqedonisë në NATO. Dhe, 10 vite nga zhgënjimi i madh i shpresave tona në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Kjo është mundësi historike që përfundimisht ta përfundojmë atë që e filluam para një çerek shekulli”, tha Ivanov në fjalimin në shtëpinë ligjdhënëse.
Sipas tij, derisa shumica e qytetarëve i mbështesin këto qëllime strategjike, jemi të obliguar t’i respektojmë.
“Por duhet të kemi parasysh jo çdoherë korrespondojnë me interesat e Republikës së Maqedonisë. Ambivalenca ndaj Maqedonisë sot është bazë për kriza të reja nesër”, tha presidenti Ivanov.