Presidenti i SHBA-së, Doland Trump, i ka ofruar një zyrë në Shtëpinë e Bardhë, vajzës së tij, Ivanka Trump. Këtë gjë e ka pohuar avokatja e saj, Jamie Gorelick, përmes një deklarate dhënë për revistën Politico. Ajo ka theksuar se 35-vjeçarja Ivanka pritet të transferohet javën e ardhshme në zyrën e saj e cila do të jetë në pjesën perëndimore të Shtëpisë së Bardhë. Ivanka nuk ka ndonjë detyrë zyrtare, por do të ketë akses në të gjitha të dhënat të cilat konsiderohen si sekrete, ka thënë Gorelick. Ajo ka shtuar se Ivanka nuk do të ketë ndonjë pagesë për këtë punë, si dhe do të jetë e përfshirë në të gjitha rregullat e etikës ku janë përfshirë pjesa tjetër e administratës.