ITSHKSHM është zëri më artikulues i shqiptarësisë në këto hapësira përmes veprave konkrete, kurse drejtuesi i tij Skender Asani, me vizionin dhe objektivat e tij ka dëshmuar se jo vetëm që është një menaxhor i shkathët, ai njëherësh ka demonstruar në praktikë edhe aftësinë e detektimti të problematikave kërkimore-shkencore, gjithnjë në funksion të afirmimit të vlerave univerzale dhe kombëtare
Emin AZEMI
A mund të merret me mend që institucionet të zhvillojnë aktivitet e tyre në ambiente që kanë status të padefinuar. Kjo jo vetëm që është e pamundur, por në kushtet kur një institucion tregon rezultatet të lakmueshme, atëherë tingëllon absurd që një problem i tillë ende mbetet zvarrë.
Kështu mund të thuhet edhe për Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, me seli në Shkup, i cili kohët e fundit është bërë adresa më e dinjitetshme e afirmimit të vlerave dhe të arriturave të figurave dhe ngjarjeve nga e kaluara, e që ndërlidhen edhe me zhvillimet aktuale. Institutet e tillë në botë kanë në pronësi godinat e tyre, ndërkohë që ITSHKSHM ende ndodhet me qera. Drejtuesit e këtij Instituti me vite janë angazhuar që të kenë objektin e tyre, kurse në bashkëpunim me institucionet shtetërore janë në përpjekje që të vijnë te një zgjidhje përfundimtare.
Në Shkup ka plotë objekte që mund të jenë pronë e ITSHKSHM, ndonëse edhe në hapësirat momentale ka kushte optimale për aktivitet shkencor, por jo si qiragjinjë. Është në dinjitetin e përgjithshëm që shkencëtarët të punojnë në kushte sa më të volitshme, kurse ITSHKSHM është një aset kombëtar, vlera e të cilit po rritet gjithnjë e më tëpër. Kjo sigurisht është vërejtur edhe nga opinion publik, por edhe nga faktorët politikë e institucional. Këta të fundit mbasë janë më të obliguar që këtij instituti t’i mundësojnë funksionim komod, duke e zgjidhur njëherë e përgjithmonë çëshjtjen e objektit. Nuk mund të bëhet shkencë duke funksionuar si qiraxhinjë nën mëshirën e pronarëve të tjerë. ITSHKSHM e meriton të jetë vet pronar i një objekti dinjitoz këtu në Shkup, duke qenë kështu në harmoni me kërkesat dhe synimet që i ka menaxhmenti në realizimin e projekteve ambicioze në të ardhmen.
ITSHKSHM është zëri më artikulues i shqiptarësisë në këto hapësira përmes veprave konkrete, kurse drejtuesi i tij dr.Skender Asani, me vizionin dhe objektivat e tij ka dëshmuar se jo vetëm që është një menaxhor i shkathët, por ai njëherësh ka demonstruar në praktikë edhe aftësinë e detektimti të problematikave kërkimore-shkencore, gjithnjë në funksion të afirmimit të vlerave universale dhe kombëtare. Duke qenë promotor i disa projekteve që kanë dimension edhe global, siç është shpëtimi i hebrenjëve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe afirmimi i familjeve fisnike katolike shqiptare të Shkupit në kapërcyell të shek. 19 dhe 20, bashkë me një seri projektesh të tjera, Asani u bë modeli më përfaqaqësues në mbarë hapësirën shqiptare.
Askush nuk do të besonte se gjithë kjo veprimtari madhështore hulumtuese e shkencore zhvillohet në një objekt që është pronë e tjetër kujt.
ITSHKSHM duhet ta ketë shtëpinë e vet, sepse vetëm në shtëpi të vet njeriu ndjehet i sigurt. Kurse shkencëtarët janë edhe më të sigurt kur nuk iu troket te dera qiradhënësi.