Italia ka vazhduar me paraqitje fantastike në “Euro 2020”. Italianët kanë shënuar fitore edhe në ndeshjet e tretë kundër Uellsit me rezultat 1:0, duel që u zhvillua në “Olimpco” të Romës. Golin e fitores ndaj uellsianëve e ka shënuar Matteo Pessina në minutën e 39-të.
Ai u gjend më së miri në zonë, pas asistimit të Marco Verrattit. Trajneri Roberto Mancini kundër Uellsit kishte vendosur t’u jap hapësirë lojtarëve të cilët nuk kanë luajtur në dy takimet e para.
Ndërkohë, Uellsi ka luajtur me një lojtar më pak që nga minuta e 55-të, pasi me karton të kuq u përjashtua Ethan Ampadu pas ndërhyrjes së ashpër në Bernardeschin.
Edhe përkundër humbjes, Uellsi është kualifikuar në raundin nokaut të “Euro 2020”, pasi renditet i dyti me katër pikë.
Me tri fitore, në po aq ndeshje, Italia përfundon e para në Grupin A me nëntë pikë të mbledhura. E veçanta e përfaqësueses italiane është se ka shënuar shtatë gola dhe nuk e ka pranuar asnjë.
Ky është starti më i mirë i Italisë në Kampionate Evropiane. Shtatë gola i kishte realizuar edhe në Kampionatin Botëror të vitit 1998. Ndërkaq në total, Italia ka 30 ndeshje radhazi pa humbje derisa në 11-të duelet e fundit nuk ka pranuar gol. Përveç Uellsit, Italia i ka mposhtur edhe Turqinë dhe Zvicrën me rezultat identik, nga 3:0.