Alba Di Tucci dhe Melnia Reca janë zhytur në mësimin e lakimit, kohëve të foljes dhe listës së fjalëve të reja. 20 orë në javë ato mësojnë gjermanisht, aq shpejt sa të munden. Të dyja mamitë me diplomë duan të largohen nga Napoli, qyteti i tretë për nga madhësia i Italisë. Qëllimi i tyre është Gjermania, ku ka nevojë për forca të kualifikuara pune. Të dyja gratë, ashtu si gati gjysma e të rinjve në jugun e Italisë janë papunë pavarësisht diplomimit.
“NE NUK KEMI SHANS KËTU”
“Në Itali ne nuk kemi gjetur gjë. Në spitalin në Romë, ku kemi kryer praktikën na ofruan vetëm një kontratë tremujore pune. E me këtë ne duhet ta quajmë veten me fat, që kemi mundur të gjejmë një mundësi”, thotë Melania Reca. Por atyre nuk iu dha një kontratë pasuese pune. “Kur ne dërguam dokumentacionin e aplikimit në Gjermani menjëherë na erdhën tri oferta. Secili spital donte të na punësonte”.
Luftën elektorale dy gratë e ndjekin pa interes. Ato nuk ndihen të vlerësuara seriozisht prej politikës. “Problemet që kanë të rinjtë në Itali, ekzistojnë prej dekadash e megjithatë asnjë politikan nuk interesohet për këtë”, thotë Reca. “Sistemi është tërësisht i kalbur”, shton Di Tucci. Punë nuk gjejnë të rinjtë, që e meritojnë më shumë, por vetëm ata me lidhjet më të mira. Më të prekur janë ata, që pas studimeve shpresojnë të gjejnë një unë në ndërmarrjet publike, si në një spital p.sh. Për arsye të kursimeve vendet e punës vitet e fundit janë pakësuar në këtë sektor. “Ne nuk kemi shans këtu”, thotë mamia 23-vjeçare.
ASNJË IDE E RE PËR PROBLEMET E VJETRA
Sipas ekonomistit Michele Mosca në Universitetin e Napolit nepotizmi dhe masat e kursimeve janë vetëm dy nga arsyet ndër shumë të tjera, përse shumë të rinj largohen nga Italia. “Ne kemi nevojë për reforma të gjera, kryesisht në sektorin publik”, thotë ekonomisti. Shumë autoritete dhe zyra janë me poste vakante, e njëkohësisht mënyrat e punës janë penguese, burokratike dhe të vjetruara. Si shembull ai përmend punën në universitet, ku planet mësimore prej vitesh nuk janë aktualizuar dhe të rinjtë përgatiten në mënyrë të pamjaftueshme për botën moderne të punës. Sektori privat është më i avancuar, vëren profesori. Vetëm se në këtë drejtim në jug të Italisë ka një problem tjetër: organizata kriminale si këtu në Napoli. “Për fat të keq shpesh ato vendosin se cila sipërmarrje hapet dhe kush do të punojë atje. Kjo i tremb investitorët”. Propozimet e partive në ditën elektorale nuk e bindin ekspertin Mosca. “Thënë më thjeshtë, partitë duan të ulin taksat dhe shpenzimet, për të nxitur punësimin”. Duhet hulumtuar thellë për të gjetur dallimet. Të djathtët p.sh. duan taksa të njësuara, ndërsa partitë e tjera duan të ulin kontributet e punëdhënësve.
Në anketimet e fundit kryeson aleanca e partive të djathta. Këto janë dy partitë më të forta përkrah Silvio Berlusconit, konservatirja “Forza Italia” dhe populistët e djathtë “Lega”.
“Marrëzi është që largohen nga Italia mbi 170.000 njerëz për të gjetur punë jashtë vendit”, thotë Cantalamessa, Kandidati i “Lega-s”. “Vendi ynë ka investuar shumë për kualifikimin e këtyre personave. Italia humbet me ta burimet, që ne i kemi të nevojshme këtu”, thotë politikani i djathtë gjatë një mitingu elektoral në lagjen Ercolano të Napolit. Për ta shmangur emigracionin aleanca e djathtë do ta mbështesë financiarisht rininë, thotë kandidati Pentangelo i “Forza Italia”. Por dy mamitë Melania Reca dhe Alba Di Tucci nuk duan të presin derisa qeveria të bëjë diçka. Më 1 qershor ato do të fillojnë nga puna në Vitten pranë Dyseldorfit në Gjermani. Kontratën e punës ndërkohë ato e kanë nënshkruar. (DW)