Romë, 4 mars – Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Italia i ka shtyrë zgjedhjet lokale dhe rajonale, të cilat është dashur të mbaheshin deri në fund të pranverës, kumtuan sot burimet qeveritare, në kohë të rritjes së numrit të infeksioneve të reja me virusin e ri.
Mediat britanike theksojnë se zgjedhjet për kryetar bashkie në qytetet më të mëdha italiane si Roma, Milano, Torino dhe Napoli janë shtyrë midis 15 shtatorit dhe tetorit, duke shtuar se qeveria e konfirmoi këtë vendim.
Zgjedhjet rajonale në Kalabri, gjithashtu, janë shtyrë.
Zgjedhjet lokale janë kyçe në Itali sepse ato shpesh ndikojnë ndaj politikës kombëtare. Liderët e partive ndërtojnë pjesën më të madhe të ndikimit të tyre përmes kontrollit të qyteteve dhe rajoneve të rëndësishme.
Aktualisht, shumica e partive në të gjithë spektrin politik mbështesin qeverinë e unitetit kombëtar, të udhëhequr nga ish-lideri i Bankës Qendrore Evropiane Mario Dragi, që do të thotë se qeveria lokale është një zonë e rrallë ku partitë mund të zbatojnë politikat e tyre.
Në vend tashmë ka filluar fushata politike përpara zgjedhjeve, por zyrtarët shëndetësorë tani po paralajmërojnë për rrezikun e valës së tretë të infeksionit në javët e ardhshme.
Në katër ditët e para të kësaj jave, numri i të infektuarve rishtas me koronavirus u rrit me 25 përqind krahasuar me javën e kaluar.
Qeveria dy ditë më parë, urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave në rajonet më të prekura dhe zgjeroi kufizimet ekzistuese mbi lëvizjen dhe aktivitetet e biznesit.