Në “Friends Arena” do të luhet ndeshja e parë se asaj që është përballja më elektrizuese e fazës “play off” për Kupën e Botës 2018. Suedia do të presë Italinë në shtëpi dhe do të synojë të marrë një rezultat pozitiv për të qenë në lojë në ndeshjen e kthimit. Nga ana tjetër, lojtarët e Gian Piero Ventura-s kanë për detyrë të shmangin me çdo kusht një rezultat negativ që do të fuste në dëshpërim një komb të tërë. Kombëtarja “axurre” ka zënë vendin e dytë në Grupin H të fazës eliminatore, teksa vendi i parë është marrë nga Spanja.
Shorti i Zyrihut nuk ka qenë me fat për katër herë kampionët e botës, me Suedinë që do të paraqitet në këtë përballje të dyfishtë pa asgjë për të humbur dhe me synimin për t’i bërë një tjetër shaka të hidhur italianëve pas barazimit 2-2 të regjistruar në 2004-ën kundër Danimarkës, që eliminoi nga Europiani pikërisht Italinë. Pavarësisht se nuk do të ketë në dispozicion një lider si Zlatan Ibrahimovic, kombëtarja e Suedisë ka bërë një paraqitje të mirë në grupin eliminator, të mbyllur mbrapa Francës dhe para Holandës, me këta të fundit që nuk do të jenë të pranishëm në Botërorin e ardhshëm. Tani, ekipi i Andersson do të jetë gati për një betejë tjetër, atë më të rëndësishemn, për të siguruar një kualifikim në Kupën e Botës që mungon nga 2006-a.