Italia do të marrë drejtimin e një njësie të re luftarake të NATO-s që po ngrihet në Bullgari. Kjo për të forcuar mbrojtjen e aleancës në krahun e saj lindor në mes të luftës në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga Qeveria bullgare. Në njësinë e re do të jenë pjesëmarrës 40 trupa nga Shqipëria.
Italia mund të vendosë deri në 800 trupa dhe pajisje ushtarake në vendin e Detit të Zi, ndërsa Sofja, e cila fillimisht u përpoq të drejtonte njësinë, do të kufizojë numrin e trupave bullgare në 140. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë rënë dakord tashmë që t’i japin grupit të betejës bullgare secila nga një kompani.
Një kompani zakonisht numëron midis 150 dhe 200 ushtarë. NATO, e cila tashmë ka forcuar krahun e saj lindor me 40 mijë trupa të shpërndara nga Baltiku në Detin e Zi, ra dakord në mars për të ngritur njësi të reja luftarake në Bullgari, Rumani, Hungari dhe Sllovaki. Një komponent i rëndësishëm i qëndrimit parandalues dhe mbrojtës të NATO-s është prania ushtarake në pjesët lindore të territorit të Aleancës. Në vitet e fundit, aleatët kanë rritur praninë e NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni duke zhvilluar një prani të përshtatur përpara në rajonin e Detit të Zi.
Grupe të tjera beteje shumëkombëshe janë ngritur në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Këto veprime demonstrojnë solidaritetin, vendosmërinë dhe aftësinë e aleatëve për të mbrojtur territorin dhe popullsinë e Aleancës. /Albanianpost