Romë, 20 janar – Italia u kanos se do ta padisë kompaninë farmaceutike Fajzer për shkak të vonesës së dërgesës së vaksinave kundër Kovid-19.
“Për mbrojtjen e qytetarëve italianë nuk mund të negociohet”, theksoi komisari special për pandeminë, Domeniko Arkuri.
Ai theksoi se ka biseduar me ministrat dhe liderët rajonal dhe se është marrë vendim të ndërmerren veprime në dy ditët e ardhshme.
Vaksina kundër Kovid-19 e Fajzer/BioNtek nga fundi i dhjetorit u miratua nga Bashkimi Evropian, por kompania amerikane javën e kaluar kumtoi se do t’i anulojë dërgesat në tre deri në katër javët e ardhshëm për shkak të ndryshimeve në procesin e punës në Belgjikë. Ditën e ardhshme kompania kumtoi se e kufizon dërgesën për edhe një javë.
Arkuri theksoi se këtë javë nuk janë dorëzuar 29 për qind e dozave të premtuara të vaksinave. Në Itali mbi 1,2 milionë persona janë infektuar me Kovid-19 ndërsa mbi 83.000 kanë vdekur nga pasojat e virusit.