Viktimat e koronavirusit në Itali për të parën herë kapërcyen 10 mijëshin. Vetëm në 24 orët e fundit u shënuan 889 të vdekur, një tjetër shifër tepër e lartë ditore. Është rritur sërish edhe numri ditor i të infektuarve duke arritur në afro 6 mijë me rreth 92 mijë të prekur prej nisesj së pandemisë.
E konsideruar si Italia e dytë e Europës për shkak të ritmeve tepër të larta të përhapjes së koronavirusit, Spanja preku një tjetër shifër tepër të lartë prej 674 viktimash, duke e shënuar këtë të shtunë ndër ditët më tragjike. Numërohen mbi 6500 të prekur për këtë të shtunë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi 72 mijë.
Edhe në Britaninë e Madhe, ndër vendet e fundit në botë që nisi aplikimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit, ritmet po përshpejtohen. Kjo e shtunë shënoi shifrën më të lartë ditore të deritanishme, 260 të vdekur, duke e çuar në mbi 1 mijë numrin e përgjithshëm të tyre. Sipas përllogaritjeve, në gjithë Europën numërohen mbi 20 mijë të vdekur, 5 herë më shumë se në Kinë.
Shtetet e Bashkuara duket se janë shqetësimi më i madh për globin ku aktualisht numërohen afro 1900 të vdekur dhe gati 113 mijë të infektuar, më shumë se në çdo vend tjetër. Sipas mediave, New York është vatra më e re e përhapjes së koronavirusit dhe çdo 17 minuta humb jetën një i infektuar dhe kjo mund t’i shkaktojë metropolit amerikan një gjendje më të rëndë se Wuhani dhe Lombardia.
Ndërsa në Wuhan, vatrën e pandemisë globale, tashmë çdo gjë mund të konsiderohet e stabilizuar, çka çoi në rinisjen e punës së linjave të metrove dhe transportit publik.
Gati 29 mijë viktima numërohen në gjithë botën, afro 465 mijë të infektuar dhe mbi 138 mijë të shëruar.