IT para zarzavateve

Numri i të punësuarve në industrinë e teknologjisë informatike po rritet vazhdimisht. Kjo tregon se ajo paraqet një nga industritë me rritje më të shpejtë në vend, që kërkon edhe përkrahje më të madhe si dhe investime të mëtejshme në këtë sektor. Eksporti i shërbimeve të ndryshme të teknologjisë informatike është më i lartë për 14 milion euro në raport me eksportin e pemë-perimeve

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 23 gusht – Maqedonia e Veriut në vitin e kaluar ka eksportuar shërbime kompjuterike në vlerë prej 160 milionë euro. Bile eksporti i shërbimeve të ndryshme të teknologjisë informatike është më i lartë për 14 milion euro në raport me eksportin e pemë-perimeve që vitin e kaluar arriti vlerën e 146 milion euro. Njëherazi në pesë vitet e fundit ai shënon rritje të madhe për 100 milion euro në raport me vitin 2014 kur kishte vlerën prej 60 milionë euro. Ekonomistët thonë se ndër potencialet më të mëdha eksportuese të Maqedonisë janë shërbimet dhe prodhimet e teknologjisë informatike, për shkak se në botë janë në rritje e sipër kërkesa dhe vëllimi për shërbimet e ndryshme në sektorin e teknologjisë informatike. Vlerësohet se një pjesë e madhe e kompanive të huaja që kanë hapur përfaqësitë e tyre në shtet, por edhe kompanitë vendore që punojnë për tregjet e jashtme, kanë ndikuar dukshëm në rritjen e madhe të eksportit të shërbimeve të teknologjisë informatike.

Para disa ditësh Oda e Teknologjisë Informatike ka kërkuar nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski përkrahje për ringjalljen e diplomacisë ekonomike, hapjen e parkut teknologjik, promovimin e këtij sektori jashtë shtetit, ndryshimet arsimore në favor të tij, parashikueshmëri rregullatore për investimet afatgjate serioze, ndryshime dhe plotësime të politikës tatimore që si një nga degët kryesore në shtet duhet të jetë në fokusin e politikës kombëtare, ekonomike dhe shoqërore. Nga kreu i shtetit ndër të tjerash është theksuar se do të përkrahen programet rinore për tejkalimin e hendekut midis nevojave për shkathtësi digjitale, sektorit publik dhe potencialit të të rinjve në shtet.

“Bashkëpunimi dhe përkrahja për këtë sektor ka një rëndësi të madhe për shkak se digjitalizimi lëviz botën, si dhe dikton edhe rrjedhat e tjera ndaj të cilave ne duhet të adaptohemi. Njëherazi një nga programet që do të japim përkrahje institucionale është partneriteti me ambasadën Britanik, Këshillin kombëtar rinor dhe Masit apo Odën e teknologjisë informatike për hapjen e të rinjtë HAB, që do të hapet në zyrat e presidentit në qendër të Shkupit, me çka presim që përmes këtij programi të krijojmë mjedis inkurajues dhe gjasa më të mëdha për suksesin e të rinjve”, shtoi Pendarovski.

Nga Oda e Teknologjisë Informatike thonë se përmes degës së tyre mund të ndalet ikja jashtë e kuadrove lartë të kualifikuar. “Numri i të punësuarve në industrinë e teknologjisë informatike po rritet vazhdimisht duke arritur në 14.500 në vitin 2018, ndërsa shënohet edhe rritje e të ardhurave prej 780 milion euro në vitin 2017 në 862 milionë euro në vitin 2018. Kjo tregon se ajo paraqet një nga industritë me rritje më të shpejtë në vend, që kërkon edhe përkrahje më të madhe si dhe investime të mëtejshme në këtë sektor”, thotë Anita Nikova , drejtoreshë e Odës së Teknologjisë Informatike.

Në ndërkohë, nga Ministria e Shoqërisë Informatike kanë paralajmëruar uljen nga 10 në 3 për qind të tatimit në fitim për kompanitë e teknologjisë informatike, që do të përfshi një pjesë të veprimtarive në këtë sektor. Pritet që një masë e tillë do të nxisë kompanitë të rrisin kapacitetet e tyre. Ndryshimi i Ligjit për tatimin në fitim që moti kërkohet nga ky sektor.

Një nga kërkesat e sektorit të teknologjisë informatike, për ndryshimin e rregullativës për përkrahje financiare ndaj kompanive vendore është realizuar.

Prej muajit korrik të këtij viti, me ndryshimet e fundit të Ligji për përkrahje financiare edhe kompanitë e teknologjisë informatike kanë mundësi që të shfrytëzojnë ndihmë shtetërore për investimet që i realizojnë për të zhvilluar biznesin, për dallim prej më parë kur ky sektor nuk shfrytëzonte subvencione shtetërore.

Kohë më parë , kompanitë e teknologjisë informatike kanë kërkuar anulimin e tatimit progresiv që filloi të vlejë prej një janarit të vitit 2019, sipas të cilit, pjesa mbi 90 mijë denarë e pagës tatimoret me shkallë më të lartë prej 18 për qind. Nga Oda e teknologjisë informatike – MASIT, vlerësojnë se barrën e shkallës së rritur tatimore në fund do ta marrin vetë bizneset me qëllim që të mos i ulin pagat neto të të punësuarve, që në këtë sektor janë më të mëdha në tërë vendin, ndërsa për kompanitë me 100 deri 200 programues në totalin e pagave, këto shpenzime nuk janë një shumë që mund të anashkalohet. Njëherazi kërkohet edhe ndryshimet në rregullativën për furnizime publike, apo të mos realizohet shitja e softuerit dhe shërbimeve përmes ankandit elektronik , për shkak se bëhet fjalë për shërbime specifike që çdo herë mund të ofrohen si prodhim i gatshëm me çmim të definuar. Zgjidhjet softuerike ndryshohen në bazë të nevojave të klientit, përshtatjeve etj thonë nga Oda e teknologjisë informatike. Gjithashtu vlerësohet se edhe një kujdes më i madh në krijimin e këtij kuadri, duke filluar nga më shumë bursa që nga shkolla e mesme do të ndihmojnë që fëmijët e talentuar të orientohen ndaj një profesioni me perspektivë. Ndryshe, edhe kur industria e teknologjisë informatike po ballafaqohet me ikjen e trurit ku jashtë shtetit fitojnë paga edhe disa herë më të larta se 59 mijë denarë sa është mesatarja e të ardhurave mujore në sektorin e teknologjisë informatike, ndërsa vlerësohet se këtij sektori për momentin i nevojiten 3000 profesionistë.