I riu novator, Endrit Rushiti, ka deklaruar se roli i institucioneve shtetërore është shumë i rëndësishëm në krijimin e kushteve dhe mbështetjen e të rinjve drejt sukseseve të mëdha, por që një gjë të tillë nuk po e gjejnë në vendin e tyre. Nga njohësit e fushës dhe ekspertet rekomandohet që autoritetet shtetërore të marrin parasysh raportet dhe hulumtimet e Instituteve dhe OJQ-ve, të ndryshme që të kenë sa më të lehtë qasjen në terren dhe më të lehtë zgjidhjen e problemeve
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 shtator – Sektori i IT-së në Maqedoninë e Veriut, është një ndër sektorët me rritjen më të shpejt në vend e cila dhe punëson dhe angazhon më së shumti të rinjtë. Sipas raportit të fundit për industrinë e IT-së të prezantuar nga MASIT ky sektor në tre vitet e fundit ka pasur një rritje të qëndrueshme sa i përket numrit të kompanive dhe të punësuarve, rritjes së eksportit, fitimeve dhe të ardhurave. Problemi më i madh me të cilin përballet industria e IT-së është mungesa e fuqisë punëtore. Sepse sipas hulumtimeve, sektori i IT-së është i vetmi ku burimi më i madh i saj janë të punësuarit dhe nëse ka mungesë të burimeve njerëzore atëherë nuk do të ketë mundësi zhvillimi. Sipas statistikave të publikuara në vitin 2019, në vendin tonë ishin 957 kompani ekonomikisht aktive dhe gjithsej 15.093 të punësuar në sektorin e IT-së. Sergej Zafirovski nga InsiderID në prezantimin e raportit ka thënë se këto shifra nuk do të ishin të rëndësishme nëse rritja nuk do merrej parasysh. “Në periudhën e përmendur, ka një rritje prej 51 për qind të kompanive ekonomikisht aktive, dhe rritje për 37 për qind të numrit të të punësuarve, e cila është mbi 10 për qind në vit. Pra sipas statistikave nga 10,900 në vitin 2016 në 15.090 të punësuar në vitin 2019”, u shpreh ai.
Ndërkohë kryetarja e MASIT, Aneta Antova Pesheva, ka deklaruar se këto shifra në sektorin e IT-së, konfirmojnë rritjen të madhe në këtë industri dhe sipas saj, janë baza për krijimin e këtij sektori në të gjitha sferat tjera të biznesit. “Në botën e sotme të vlerave virtuale, numrat, faktet dhe argumentet janë më të rëndësishmet. Industria e IT-së, është industria me rritjen më të shpejtë në vendin tonë, e cila këtë arritje e ka arritur pa mbështetjen e shtetit, siç janë subvencionet apo diçka të ngjashme”, deklaroi ajo. Sipas saj lokomotiva e zhvillimit të vendit, ka nevojë për bashkëpunim të të gjithëve. “Ne kemi nevojë për institucione të forta arsimore, veçanërisht në fushat e informacionit dhe komunikimit, duhet të jemi të vendosur që të hymë në botën e re me një mjedis të sigurt dhe të parashikueshëm. E gjitha që ne dëshirojmë është që shteti të garantojë kushte specifike të jetesës, shëndetit dhe sistemit arsimor dhe të rinjtë të merren më pak me politikë”, përfundoi ajo.
I riu novator, Endrit Rushiti për gazetën KOHA, ka deklaruar se roli i institucioneve shtetërore është shumë i rëndësishëm në krijimin e kushteve dhe mbështetjen e të rinjve drejt sukseseve të mëdha, por që një gjë të tillë nuk po e gjejnë në vendin e tyre. Sipas tij, vendi ynë ka kushte shumë të mira për të ndihmuar të rinjtë në sektorin e IT-së, por që mungon motivimi, përkrahja dhe bashkëpunimi, nga ana e institucioneve shtetërore. “Me një fjalë, ne në shkollë marrim njohuri por nuk mësojmë se si ti përdorim ato njohuri në jetën reale. Të rinjtë nuk përkrahen dhe as nuk përgatitën sa duhet në vendin tonë dhe këtë e tregon fakti se akoma nuk kemi parë ndonjë suksese të madh nga ndonjë i ri”, shti ai. Ndërkaq, siç tha ai, të rinjtë e talentuar po ikin për të shprehur kreativitetin e tyre jashtë shtetit, atje ku vlerësohen më tepër. “Këtu shoh shumë të rinj të talentuar me ambicie shumë të larta, por ata kanë nevojë për përkrahjen shtetërore që t’i realizojë ëndrrat e tyre”, përfundoi Rushiti. Nga njohësit e fushës dhe ekspertet rekomandohet që autoritetet shtetërore të marrin parasysh raportet dhe hulumtimet e Instituteve dhe OJQ-ve, të ndryshme që të kenë sa më të lehtë qasjen në terren dhe më të lehtë zgjidhjen e problemeve. (koha.mk)