Shkup, 28 shtator – Tre futbollist nga Maqedonia, prej tyre dy shqiptar, karrierën e tyre futbollistike në futsall do ta vazhdojnë në Kosovë, respektivisht te skuadra e FC “Feniks”. Fjala është për Taulant Ismailin, Ferid Agushin dhe Dragan Petroviç, të cilët njëherit mbrojnë edhe ngjyrat e përfaqësueses së Maqedonisë.
Lajmi u konfirmua nga vetë drejtuesit e klubit kosovar, derisa për gazetën KOHA, për përshtypjet e para te skuadra kosovare ka folur shkupjani Taulant Ismaili. “Klubi i FC ‘Feniks’ janë të lumtur të konfirmojnë arritjen e marrëveshjes për sezonin e ri me reprezentuesit e kombëtares maqedonase, Ferid Agushi , Dragan Petrovic dhe Taulant Ismaili”, kanë shkruar në profilin e tyre zyrtar drejtuesit e klubit kosovar.
“Kam pasur edhe vitin e kaluar ofertë nga drejtuesit e ‘Feniks’ por për shkak se KF ‘Veles’ kishte nevojë për mua duke marr parasysh se ishim në garë për titullin e kampionit me FC Shkupi, nuk u realizua kjo. Por, pas përfundimit të sezonit, drejtuesit e klubit përsëri shprehën dëshirë që të më angazhojnë në radhët e tyre, gjë që edhe ndodhi, dhe unë por edhe dy kolegët e mi Ferid Agushi dhe Dragan Petroviç, u bëmë pjesë e tyre”, u shpreh për gazetën KOHA, Ismaili, i cili u shpreh i kënaqur nga mikpritja që iu bë por edhe nga kushtet që do ti kenë.
“Prej ditës kur arritëm në klub, drejtuesit e klubit na pritën shumë mirë dhe për këtë shfrytëzoj rastin ti falënderoj. Sa i përket kushteve jam më se I kënaqur, ndërsa mua por edhe shokëve të mi nuk na mbet asgjë tjetër vetëm se ti përmbahemi punës dhe të fillojmë rrugëtimin tonë për titullin kampion dhe daljen në Evropë”, përfundoi Taulant Ismaili.
Ndërkohë, debutimin e parë në klubin e ri, tre futbollistët nga Maqedonia do ta kenë më 5 tetor kundër KF ‘Junik” në Gjakovë.