Rikthimi dhe rivizitat tek figurat kryesore politike shqiptare, do të duhej të ishin prerogativ, sidomos për naivët e politikës, për të kuptuar se cila është trashëgimia e politikbërjes që ata na kanë lënë
Nga Nazim RASHIDI
Kur e përmendim emrin e Ismail Qemalit, menjëherë referimet lidhen me 28 nëntorin, Vlorën, flamurin, pavarësinë e Shqipërisë. Por rrallë herë, apo vetëm studiuesit e dinë se cilat kanë qenë qëndrimet e tij në politikë, apo vizionet e tij politike për ta ndërtuar Shqipërinë e shqiptarët. Rrallë herë ndodh, e aq më pak nga politikanë, që të ketë një rikthim, një rivizitë tek figurat politike edhe si frymëzim, por edhe si rizbulim për politika dhe qëndrime të cilat do të mund të ridimensionoheshin tek e tashmja.
Alexandria Ocasio-Cortez është superstari i politikës amerikane. Kongresmenia e re në moshë, nga Nju Jorku, e cila është një nga figurat e reja kryesore të Partisë Demokratike, ka qëndrime shpesh që i portretizohen gati si ekstremi i majtë. Por në një intervistë televizive, pa hyrë në detaje, duke e dëgjuar rreth propozimeve të saja për buxhetin, tatimet etj. tha se ato që thoshte ishin të bazuara edhe në masa që kishin marrë edhe presidentë dhe administrata të mëparshme. Këtë pjesë doja të veçoja.
Pra sigurisht masat e administratave të mëparshme kanë pasur kontekstin e kohës, por ama parimet në politikë shpesh duhet të mbeten të njëjta.
Në këtë kontekst them se frymëzim apo dhe rizbulim ndoshta duhet të ketë edhe tek figurat historike tonat, që edhe kanë vënë bazën e politikbërjes.
E përmenda Ismail Qemalin, sepse në 12 shkurt do të shënohet 100 vjetori i vdekjes së tij dhe për këtë arsye Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka hapur një ekspozitë e cila disi sjell edhe dimensione të tjera të një prej figurave më të rëndësishme të historisë tonë moderne.
Në një bisedë edhe me Drejtorin e Muzeut Dorian Koçi, tentova të zbuloj se cila është trashëgimia e tij politike, çfarë vizioni politik kishte ai dhe sa mund t’i mësojnë vlerat që ai përfaqësonte politikanët e sotshëm.
Por pse kjo do thoshit? Nëse shikon skenën politike ajo është e paqartë, krizë në reflektim, krizë në artikulim. Ka një banalitet dhe oratori rrugësh dhe zhvlerësim dhe baltosje totale të krejt skenës politike nga rivalët. Mungesë respekti nga të gjitha anët dhe shumë pak, aspak, debate e përplasje, përqendrime dhe ide se si do ta ndërtonim atë kullën tonë, që tashmë, është edhe ballkanike edhe evropiane. Dhe… Ismail Qemali ka pasur një vizion për të ngritur shqiptarët e kohës duke përforcuar shtresën e mesme.
Një vizion aq i fuqishëm që vlen edhe sot. Krejt kriza e vlerave dhe shoqërisë vjen sepse në shoqëritë tona ose ka shumë të pasur ose shumë të varfër. Ata që janë në mes thuajse nuk ekzistojnë. Por, balancën shoqërore e mban shtresa e mesme.
Ismail Qemali, përmendte mësuesit dhe njerëzit e shkolluar të kohës, që në periudhën e tij ishin pak. Sot kur kemi administratë, mësues, mjek, juristë… më shumë se atëherë, do presupozohej se shtresa e mesme do ishte më e fortë. Por jo. Pagat e gjithë kësaj klase janë aq minimale, sa pastaj vjen lehtë dhe degradimi i tyre. Mos ekzistenca e kësaj shtrese dhe ikja e saj.
Por, a nuk do të ishte plotësisht patriotik ndërtimi i politikave të tilla mbi ato të Ismail Qemalit, por tashmë jo vetëm tek flamuri (lexo folklori) që ka peshën e vetë, por edhe tek përmbajtja e tij.
Sigurisht që mundet. Por për këtë duhet lexuar e studiuar. E ne edhe atë klasë të mesme që kemi, e kemi fallco, se as e lexuar e as e edukuar siç duhet nuk është.
As mit nuk përbën më fakti, që klasa jonë e mesme është e mbushur me diploma fallco, të stampuara nga universitete po aq fallco, por që dëmin e kanë aq të madh sa tejkalon Maqedoninë dhe e gjitha kjo me vulë, partiake e politike.
E në një kontekst të tillë, sigurisht do bëhet pyetja po nga të dalë kjo shtresë e mesme, e cila mund të ishte varfër, por dijen ama do e kishte si themel të sajën?
E kur jemi tek kjo pjesë, te dija e leximi. Ismail Qemali, sipas Dorian Koçit, që është dhe studiues, para pavarësisë ka qenë një nga eksponentët e liberalizmit në parlamentin turk.
Ka përfaqësuar fuqishëm frymën e modernizmit dhe kjo e reflektuar edhe në ligjet që i ka përgatitur. Gjithashtu ka pasur vizionin për barazinë e kombësive në perandorinë osmane. Barazia është thelbi i shumë ideve politike në Evropë, por aq shumë lidhet fuqishëm me Maqedoninë e kontekstin e saj. Dorian Koçi thotë se Ismail Qemali ka një “makro kosmos” me vlera e ide politike të cilat mund të kenë paralele edhe në “mikro kosmosin” e Maqedonisë, dhe jo vetëm, duke bazuar mbase politika të tëra. Por normal, sërish nuk kemi dhe nuk vinë ide të tilla.
Nga ana tjetër edhe vetë ideja e evropianizmit mund të gjendet tek veprimi i Ismail Qemalit. Ka qenë pjesë e komisioneve evropiane të kohës dhe gjithë frymëzimin e ka pasur tek britanikët. Madje edhe modelin për parlamentarizmin turk, në kohën e perandorisë, e ka marrë nga perandoria britanike. Por asgjë dhe asnjë paralele e tillë nuk hidhet e nuk thuhet nga klasa jonë politike për të sqaruar, edukuar por edhe frymëzuar njerëzit dhe brezat që vinë.
Në këtë mënyrë, politikat ndërtohen dhe njëkohësisht do të ishte e qartë se pse i gjithë konteksti politik shqiptar është pro evropian. Pse janë shkatërruese e zhgënjyese ca pufka politike që referimet me perandorinë osmane i kanë veç te sentimenti fetar, e jo tek politikbërja qoftë edhe e vetë perandorisë osmane, ku idetë liberale janë përfaqësuar nga shqiptarët.
Ismail Qemali ka punuar për kushtetutë liberale turke, por përveç nga studiuesit, asgjë e tillë nuk merret si ushqim për klasën tonë politike.
Rikthimi dhe rivizitat tek figurat kryesore politike shqiptare, do të duhej të ishin prerogativ, sidomos për naivët e politikës, për të kuptuar se cila është trashëgimia e politikbërjes që ata na kanë lënë. Historiani dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi këto do të veçonte nga trashëgimia e Ismail Qemalit: E para, laiciteti i shtetit. Çdo rivendosje e një identiteti fetar e kulturor, nga ajo siç është tani është “atentat” ndaj Shqipërisë. E dyta, prirja e natyrshme për të qenë në Evropë. Të gjitha këto i ke të reflektuara qartë tek veprimi politik i Ismail Qemalit.
Ndërkohë mësimet që vlejnë ende dhe që do të vlejnë edhe më tej, se janë bazike, por për politikbërjen tonë, të nevojshme sepse tregon se ku duhet mbështetur janë si vijon:
Respektimi i tjetrit , orientimi pro evropian dhe heqja dorë nga nacionalizmat lokale.
Reflektim të këndshëm të dashur, me shpresë se do të gjeni frymëzim aty ku duhet!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)