Tetovë, 21 korrik – Autori i librit më të ri “Figura të ndritura”, Ismail Arsllani, tashmë është i njohur me veprat e tij të botuara nga publicistika. Kësaj here vjen me një libër tepër interesant, në të cilin ka shtruar një duzinë figurash të shquar nga e kaluara, të cilët me të drejtë i quan “të ndritur”.
Në këtë botim janë përfshirë personalitete të shquara, duke filluar nga shekulli 16, me lëvizjen e dervishëve, me pashallarët, udhëheqësit e rezistencës ndaj Perandorisë Osmane, e deri nga mesi i shekullit të kaluar, të veprimtarëve të denjë nga fusha e kulturës, ngritjes së vetëdijes kombëtare te masat e gjera dhe të kyçjes në lëvizjet shoqërore për përparim e barazi me popujt e tjerë. Fillon me një mësues të ndritur të bektashizmit, i cili, me dituritë e tij, ka arritur të veprojë si këshillëdhënës pranë sulltanit, me të cilin ka pasur mospajtime, ka braktisur dhe është kthyer në vendlindje, ku, që të përhap mësim-besimin fetar, ka filluar me ndërtimin e një teqeje në Tetovë, e cila, më vonë, është riparuar disa herë nga trashëgimtarët e lëvizjes bektashiane dhe që ekziston edhe sot e kësaj dite, si një monument i rrallë e me vlerë të madhe kulturore-historike, thotë mes tjerash autori i këtij libri.
Në një kapitull të librit, flitet për pashallarët, pushtetmbajtësit, që ishin dorë e zgjatur e sulltanit, të cilët kanë qenë me prejardhje shqiptare, të lindur në Tetovë, por të dëshmuar në fronte të ndryshme të Perandorisë, në luftë e në paqe. Këta pushtetmbajtës në qytetin e lindjes, të cilët e mbartnin pushtetin nga brezi në brez, gjatë sundimit të tyre kanë ndërtuar një varg objektesh, si ura prej guri, fortifikata, hamame, xhamia, kulla të sahatit, konakë, kalldrëme, çezma publike etj., ndaj dhe përmenden deri më sot, ngase veprat e tyre pjesërisht ende janë në përdorim dhe pjesërisht trajtohen si monumente kulturore-historike të trashëguara nga një kohë e shkuar dhe janë vënë nën mbrojtjen e shtetit.Në disa kapituj janë prezantuar personalitete të përvuajtura, të cilët, për veprimtarinë e tyre patriotike janë dënuar, burgosur dhe vrarë. Ky ishte fati i shumë veprimtarëve të kësaj ane, andaj autori Ismail Arsllani, duke shkruar për ta, kthehet në një të kaluar të rëndë historike të këtij populli, me qëllim që këta personalitete të ndritura të mos harrohen nga brezat që vijnë. Libri publicistik “Figura të ndritura” që po del në dritë, është fryt i një pune hulumtuese shumëvjeçare, pas një sublimim të dhënash të shumta, kryesisht përmes bisedave me të bijtë apo nipat e stërnipat e personaliteteve të shquara me taban kombëtar, të cilët, në periudha të ndryshme kohore e historike, kanë dhënë kontributin e tyre vetëmohues, duke sakrifikuar veten, familjen dhe pasurinë, për të mirën e përgjithshme.
Ndonëse ata vijnë nga një qytet i vetëm, nga Tetova kreshnike dhe e lavdishme, veprimtaria e tyre e gjerë patriotike dhe atdhetare, kapaciteti intelektual dhe sfidues tejkalon kufijtë rajonalë, duke lënë një bagazh të ngjeshur kombëtar edhe në përmasa më të gjera në gjeografinë shqiptare, por duke ndikuar edhe në rrjedhat e zhvillimeve në Ballkan e më gjerë, shkruan autori i këtij libri Ismail Arsllani.