ISMA USEINI kërkon ndihmë: Në rrugë dhe pa strehë

Urim HASIPI

Tetovë, 28 qershor – 58 vjeçarja Isma Useini nga fshati Zhelinë ka ngelur në rrugë dhe pa strehë. Ajo thotë se në një dhomë ku jeton tash, nuk ka kushte elementare për jetesë, ndërsa nuk merr asnjë ndihmë, as pension, nuk posedon asnjë dokument, sepse nuk e ka edhe nënshtetësi të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Që e tërë kjo situatë të mos mjaftonte me kaq, para gjashtë muajve ajo do të mbetet edhe pa burrin e saj, i cili ndërroi jetë dhe tashmë thotë se askush nuk përkujdeset për atë. Kjo plakë tashmë me shumë halle dhe probleme ka mbetur pa asnjë mbështetje. Problemi me mospasjen e nënshtetësisë ka bërë që ajo mos të mund të drejtohet në asnjë institucion për ndihmë eventuale.

“Unë jam pa shtëpi, pa banesë, nuk kam ku të jetoj. Jam në një dhomë e cila mund të shembet. Jam e sëmurë, e vetme. Nuk kam nënshtetësi. Ka 42 vite jetoj këtu. Nga shteti nuk marrë asgjë, burri më ka vdekur para gjashtë muajve. Askush nuk përkujdeset për mua, askush nuk më ofron asgjë, asnjë ndihmë, prandaj edhe kërkoj të më ndihmojnë për të gjetur një strehë mbi kokë”, thotë plaka Isma Huseini. Ajo më tej shprehet se ka frikë se në dimër do të mbetet në rrugë, pa kulm mbi kokë, prandaj edhe kërkon një strehë ku do të jetojë.

“Çdo ditë jetoj me frikë se do të shemben muret. Nuk kam për të ngrënë, e as për të blerë ilaçet. S’kam asnjë njeri që do të ndihmonte, mbijetoj vetë. Do të vjen dimri, e do të mbetem rrugëve. Edhe pension nuk mund të marr, sepse jam pa nënshtetësi, pa dokumente, pa asgjë”, ankohet ajo për KOHA, duke u lutur për ndihmë nga bashkëqytetarët e saj. Isma është martuar në Zhelinë në vitin 1979 dhe është nga Bosnja e Hercegovina. Në atë kohë, në ish Jugosllavinë e atëhershme, ajo ka pasur edhe dokument kurorëzim, kurse pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ajo mbeti pa asnjë dokument që dëshmon se është shtetase e Maqedonisë. “Jam martuar që në vitin 1979 këtu në Zhelinë. Unë nuk jam refugjate, nuk kam ikur nga lufta. Me ndihmën e disa njerëzve, mezi kam rregulluar një dokument për t’u operuar. Vuaj nga sheqeri, jam në dializë, kam probleme me tensionin. Nuk arrijë dot as edhe një medikament të blej”, shprehet plaka Isma. Ajo thotë se ka 32 vite që nuk ka qenë në vendlindjen e saj dhe nënvizon se atje nuk ka asnjë njeri dhe nuk ka ndërmend të kthehet.

“Unë nuk kam ndërmend të kthehem atje, gjysmën e jetës sime e kam kaluar këtu, në Zhelinë. Burri me ka vdekur dhe tash jam e vetme. Edhe pse jam boshnjake, mirë – keq, këtu e kam bërë jetën”, sqaron ajo. Kam qenë në shumë vende për të kërkuar ndihmë, por nuk më është ofruar asgjë.

Të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë mund të paraqiten në numrin e telefonit 070 825 039.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.