Operatorët thonë se impjanti i quajtur ‘Orca’ do të thithë 4,000 ton CO2 nga ajri çdo vit, dhe do t’i injektojë në tokë për t’i mineralizuar.
Makineria më e madhe në botë për thithjen e dyoksidit të karbonit dhe kthimin e tij në shkëmb, ka nisur të funksionojë, njoftuan dje kompanitë realizuese.
Emri i saj i është dhënë sipas fjalës islandeze “orka” që do të thotë “energji”, dhe përbëhet nga katër njësi, secila e përbërë nga dy kuti të metalta që duken si konteinerë transporti.
Impjanti është ndërtuar nga grupi zvicerjan Climeworks dhe kompania islandeze Carbfix, dhe operon me kapacitet për të thithur nga jari 4,000 ton dyoksid karbon në vit, sipas prodhuesve.
Ekspertët thonë se kjo është e barabartë me emetimet e nxjerra nga 870 vetura me nafte. Ndërsa makineria ka kushtuar 10 deri në 15 milionë dollarë për t’u ndërtuar sipas rrjetit, Bloomberg.
Për të thithur dyoksidin e karbonit makineria tërheq ajrin në kolektor, ku gjendet një material filtrues.
Kur filtri mbushet me CO2, kolektori mbyllet dhe temperatura rritet për çlirimin e CO2 nga materiali, teksa më pas gazi i përqendruar mund të grumbullohet.
CO2 përzjehet më pas me ujë dhe injektohet në një thellësi prej 1,000 metrash në shkëmb vullkanik bazalti, ku do të mineralizohet.
Mbështetësit e teknikës së kapjes së karbonit në ajër besojnë se teknologjia mund të kthehet në një mjet serioz të luftës ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndërsa kritikët argumentojnë se ka kosto të larta dhe rrjedhimisht do të nevojiten dekada që ajo të operojë në masa të konsiderueshme.