Ishulli Kaledonia e Re, territor francez në Paqësor, ka refuzuar që të shkëputet dhe të fitojë pavarësinë nga Franca. Në referendumin e mbajtur, rezultatet përfundimtare treguan se 56.4% zgjodhën mos të shkëputen nga Franca, kurse 43.6% të tjerë votuan për pavarësi. Rreth 175 mijë persona kishin të drejtë vote në referendumin e së dielës. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 81%.
Duke komentuar rezultatet e referendumit, presidenti Emmanuel Macron tha se kjo tregoi besim në Republikën Franceze. “Më duhet të them se jam krenar që kaluam përfundimisht këtë hap historik”, u shpreh Macron. Kaledonia e Re ka depozita të mëdha të nikelit dhe shihet nga Franca si një aset strategjik politik dhe ekonomik në rajon.
Presidenti Macron zhvilloi një vizitë në Kaledonia e Re në muajin Maj të këtij viti, ku u shpreh se “Franca do të ishte më pak e bukur pa Kaledoninë e Re”.